Në një kohë kur kjo Rilindje ka krijuar një konfuzion duke çuar në kriza identiteti me relativizimin e vetë koncepteve bazë të natyrës njerëzore me Ligjin e “Barazisë Gjinore”, amendamenti ynë në “Ligjin e Gjendjes Civile” do të vendoste një qëndrim të qartë: të mbrojë qartësinë biologjike dhe themelin e familjes.

Ai amendament tejet i rëndësishëm përcakton se “gjinia e individit është ajo e përcaktuar në lindje – mashkull ose femër”. Kjo fjali, ndonëse e thjeshtë në formulim, ka peshë të madhe morale, shkencore dhe juridike, sepse synon të ruajë bazat mbi të cilat qëndron shoqëria, shteti dhe vetë identiteti njerëzor.

E vërteta që i paraprin çdo ideologjie

Në thelb, kjo nuk është një çështje politike apo fetare, por një realitet biologjik. Njeriu lind mashkull ose femër — një fakt i pandryshueshëm që përcaktohet nga natyra, nga kromozomet XX për femrën dhe XY për mashkullin.

Të mohosh këtë realitet do të thotë të mohosh vetë rendin e natyrës dhe logjikën mbi të cilën ndërtohet çdo sistem ligjor e shoqëror. As ndjesitë, as modat ideologjike nuk mund të ndryshojnë këtë themel. Prandaj, ai parim i vendosur në ligj nuk është akt përjashtues, përkundrazi, ai mbron të gjithë qytetarët duke ruajtur qartësinë mbi të cilën funksionon drejtësia, arsimi, mjekësia dhe administrata.

RREZIKU I “WOKE SOCIETY” DHE KONFUZIONI GJINOR

Në disa vende të botës, ku është lejuar që ndjesia të zëvendësojë biologjinë, është krijuar një realitet absurd: ekzistojnë mbi 70 identitete gjinore të shpikura, si “non-binary”, “gender fluid”, “agender”, e të tjera. Në këto vende, në dokumente zyrtare janë zhdukur fjalët “nënë” dhe “baba”, duke u zëvendësuar me “prindi 1” dhe “prindi 2”. Në shkolla, fëmijëve u mësohet se gjinia është çështje zgjedhjeje të përditshme, jo dhuratë natyre.

Kjo nuk është liri, por konfuzion. Është shembulli më i qartë se si relativizmi ideologjik mund të shkatërrojë strukturën natyrore dhe morale të shoqërisë. Shqipëria nuk mund e nuk duhet të ndjekë këtë rrugë. Ne kemi detyrimin të ruajmë qartësinë e identitetit të brezit të ri, të qytetarit, qartësinë e arsimit dhe themelin biologjik mbi të cilin ndërtohet çdo marrëdhënie njerëzore.

ARGUMENTI SHKENCOR DHE LIGJOR

Në mjekësi, çdo trajtim, çdo dozë medikamenti, procedure, çdo analizë laboratorike bazohet në seksin biologjik. Në juridikë, çdo dokument identiteti apo proces gjyqësor nis nga ky fakt. Nëse shteti lejon që regjistrat e tij të bazohen mbi “ndjesi” dhe jo mbi realitetin biologjik, rrezikon të humbasë besueshmërinë. Vendosja qartësisht e këtij parimi të vërtetë veçse garanton integritetin e dokumenteve shtetërore dhe sigurinë ligjore të qytetarëve, duke ruajtur koherencën midis biologjisë, identitetit dhe së drejtës.

NË MBROJTJE TË FAMILJES DHE TË RENDIT MORAL

Po kështu, kjo është në përputhje të plotë me Kodin e Familjes, i cili përcakton se “martesa është bashkimi ligjor ndërmjet një burri dhe një gruaje me qëllim krijimin e familjes”. Nëse gjinia bëhet e paqartë në regjistrat shtetërorë, atëherë edhe ky nen humbet kuptimin.

Prandaj, ky ndryshim është garanci për stabilitetin e familjes shqiptare, për të drejtat e fëmijëve dhe për moralin shoqëror. Familja, si bashkim i një burri dhe një gruaje, është themeli mbi të cilin qëndron shoqëria — jo vetëm në traditën tonë, por në të gjitha civilizimet.

ZËRI I PËRBASHKËT I KOMUNITETEVE FETARE

Në këtë debat delikat, të gjitha komunitetet fetare shqiptare myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashi etj., kanë mbajtur një qëndrim të unifikuar: “Njeriu është krijuar mashkull dhe femër sipas rendit të Zotit dhe ky dallim është themeli i jetës dhe i moralit njerëzor”. Ky është një unitet i rrallë shpirtëror e kombëtar që tregon se kur bëhet fjalë për të vërtetën mbi njeriun, feja dhe arsyeja ecin bashkë.

SHEMBUJ NDËRKOMBËTARË QË FRYMËZOJNË

Në Shtetet e Bashkuara, në prill 2025, Presidenti Donald Trump nënshkroi një dekret federal, që përcakton gjininë në dokumentet federale vetëm sipas seksit të lindjes. Dje Gjykata Supreme amerikane e sanksionoi me vendimin e saj këtë dekret.

Në Sllovaki, më 26 shtator 2025, Parlamenti miratoi një amendament kushtetues që njeh vetëm dy gjini – mashkull dhe femër. Në shumicën e vendeve të BE-së, si Italia, Hungaria, Greqia apo Kroacia, si dhe në Japoni e Australi, ligji civil bazohet ende në seksin biologjik. Pra, ky nuk është hap prapa, por hap drejt arsyes dhe stabilitetit. Shqipëria, me këtë vendim, do të renditej përkrah kombeve që mbrojnë identitetin dhe fëmijët e tyre nga konfuzioni ideologjik.

NJË PËRCAKTIM PËR DREJTËSI DHE QARTËSI

Në mungesë të këtij përcaktimi, konfuzioni ka pasoja të drejtpërdrejta në fusha si mjekësia, shëndetësia, sporti, burgjet, pensionet etj.. Në sport do të krijohej pabarazi kur meshkuj biologjikë garojnë në kategori femrash. Në burgje, do të lindnin probleme sigurie. Në sistemin e sigurimeve do të deformoheshin përllogaritjet e bazuara në faktorë biologjikë. Në mjekësi, trajtimet do të humbnin saktësinë. Ky parim unbiversal është, pra, një masë mbrojtëse për funksionimin normal të shtetit dhe jetës publike.

SHQIPËRIA NË ANËN E ARSYES DHE JETËS?

Ky propozim ligjor nuk ishte kundër askujt, por në mbrojtje të gjithëve. Ai mbron jetën, qartësinë, shkencën, familjen dhe fëmijët. Në një kohë ku shumë vende lëkunden përballë presioneve ideologjike, Shqipëria ka mundësinë të dëshmojë maturi, moral dhe dinjitet kombëtar. Kjo e vërtetë e sanksionuar në ligj do të ishte një po për jetën, për arsyen dhe për familjen shqiptare.

Një ligj që nuk përjashton, por orienton. Një ligj që nuk ndan, por mbron. Një ligj që i rikthen shoqërisë sonë dinjitetin, qartësinë dhe shpresën. Po e botoj këtë shkrim të bazuar mbi fjalën që do të mbaja në Kuvend në mbrojtje të amendamentit të propozuar nqs., seanca parlamentare nuk do të ishte ndërprerë arbitrarisht nga kjo maxhorancë, që me rrëzimin e këtij propozimi dhe miratimin e të ashtuquajturit Ligj për Barazinë Gjinore, po e fut vendin, familjen, shoqërinë edukimin e fëmijëve në një rrugë tejet të rrezikshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb