Akademiku Artan Fuga ka qenë sot i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ku ka folur për situatën në vend, çështjen e presidentit, përplasjet brenda opozitës dhe politikën shqiptare në tërësi.

Fuga foli për një rikthimi të aktorëve politikë Berisha, Meta dhe Rama. Bashkëveprimi dhe tensioni midis këtyre figurave që e kanë dominuar jetën politike këto 20-30 vjet, sipas tij bënë që të hiqen disa lojtarë të nivelit të dytë, apo që ishin më të rinj, një brez tjetër, jashtë kësaj hapësirës që kontrollohet nga këta aktorë politikë. Ai tha se nga ana e PS-së gjithnjë e më shumë është e personalizuar te z. Rama.

“Unë i qëndroj mendimit që nuk shikoj opozitën nga njëra anë të jetë në gjendje të propozojë një ose më shumë emra edhe për shkak të konflikteve që opozita ka brenda vetes, edhe për shkak të përqasjeve të ndryshme që kanë grupimet brenda saj. Unë i qëndroj asaj që kam thënë se janë 3 grupime që e kanë shumë të vështirë të bien dakord për një politikë të përbashkët, një taktikë të përbashkët. Kam përshtypjen që një pjese të opozitës dhe nuk i intereson politikisht të marrë pjesë në këtë përzgjedhje sepse mendoj unë nga ana taktike nuk dëshiron të lidhë duart me një njeri, me emrin e dikujt që nesër pasnesër mendon që më mirë do ishte i lirë për të zhvilluar opsionet e veta. Paradoksalisht jeta e sjell që në muajt që vijnë ne do të ndodhemi përballë një strukturimit të aktorëve politikë që e kemi parë disa herë. Do kemi z. Berisha në krye të PD-së, do të kemi z. Ilir Meta që drejton këtë pjesën tjetër të opozitës, LSI-në dhe po kështu do të kemi z. Rama dhe pavarësisht klasa politike u trondit nga ngjarjet e shtatorit dhe me shpalljen non- grata nga SHBA-të të z. Berisha konfigurimi, bashkëveprimi dhe tensioni midis këtyre figurave që e kanë dominuar jetën politike këto 20-30 vjet bënë që të hiqen si siguresa disa lojtarë të nivelit të dytë, apo që ishin më të rinj, një brez tjetër, jashtë kësaj hapësirës që kontrollohet nga këta aktorë politikë. Shikoj një margjilizim të rolit politik të z. Basha. Një lloj dobësimi të grupit të deputetëve në një moshë të re dhe me një eksperiencë më të pakët. Do të shikoja që edhe nga ana e PS-së gjithnjë e më shumë është e personalizuar te z. Rama. Kjo është ajo gjë që unë doja të thosha sot. Kemi një rikthim tek aktorët që kanë qenë”, tha Fuga.

I pyetur se përse ndodh kjo, Fuga shpjegoi:
“Kur vjen puna për axhendën në shkencat e komunikimit ka 2 pozicione, në lidhje me atë ku përqendrohet vëmendja e publikut. Ose do ketë një vëmendje të përqendruar në vetëm një çështje dhe kjo sjell që i gjithë opinioni të grumbullohet rreth kësaj çështjeje dhe në një farë mënyre ta humbë pavarësinë e veprimit. Siç është rasti ynë. Pozicioni i dytë është që të mos ketë një axhendë të fortë, por disa axhenda paralele. Në qoftë se këto përthyhen shumë sjell rrezikun tjetër që qytetari nuk dallon më se cili është prioriteti për të vepruar”.

“Në 3 ditët e fundit opinioni shoqëror me dhjetëra, qindra njerëz ndërtuan një axhendë paralele, performanca e grupit artistik të këngëtares Hajati në Eurovision. Ajo që është shumë interesante është që përgjithësisht axhenda në shoqërinë shqiptare në 30 vitet e fundit është përqendruar në këto çështje o politik o trajtim erotiko-sensuale, o skandalet. Në momentin kur vëmendja nuk shkon te politika, vëmendja orientohet drejt erosit, çështjeve rozë”, tha Fuga.

Akademiku shpjegoi se problemi është që ne nuk kemi një shoqëri civile të pavarur. “Ne flasim për shoqëri civile, ato janë organizime shumë të brishta në shoqata që nga pikëpamja e përfaqësimit të opinionit janë shumë të zbehta. Më shumë janë organizata teknike se sa organizime sociale mbi bazë interesash, të cilat të kenë fuqi për të vendosur axhendat e tyre. Psh. shoqata konsumatorësh që të trajtojnë çështjen e çmimeve. Shoqata fermerësh që të trajtojnë çështje të bujqësisë. E para shpjegohet me dobësinë e organizimit të shoqërisë. Kështu ka qenë modeli shqiptar. Shoqëri civile e dobët, parti politike sunduese dhe shumë të forta. E dyta, modeli i mediave shqiptare është një model i tipit media gjeneraliste, të orientuara drejt aktualitetit kombëtar që përqendrohet te politika. Është një media që aty e ka lajmin. Mund të ketë 1 milion arsye, por një nga arsyet nga pikëpamja e ekonomisë së medias se politika është lajmi më i lirë. Prodhohet falas. Politika nëpërmjet lajmit bën propagandimin e vetes dhe është shumë e lehtë ta marrësh. Po zhvilloj këtë tezë që edhe nga pikëpamja e rendimentit ekonomik në media është më interesante të japësh lajmin ekonomik”, tha ai.

Një arsye tjetër, sipas Fugës është se pjesa tjetër e axhendës, siç është shkenca, shtresat në nevojë, problemet e kulturës, ekonomisë, këto në media kërkojnë një opinion që të jetë shumë i interesuar, shumë i përgatitur dhe në një farë mënyre të trajtosh këto gjëra në axhendë do të thotë të humbësh pak audiencën dhe dihet që publiku i gjerë në një shoqëri si e jona ku tregu i audiencave është shumë i vogël, kërkon dhe një shkallë shumë të lartë intelektuale formimi që në shoqërinë tonë është akoma i pazhvilluar si duhet. “Politika është një spektakël i thjeshtë që kodet e saj i transmeton në një masë shumë të madhe njerëzish. Është një spektakël që bëhet ‘live’. Kur grinden politikanët në kuvend, kur grinden analistët nëpër studio. Teatralizimi i asaj që tërheq në mbrëmje. Njoh shumë të dhëna që dalin nga studime të rëndësishme. Shikojmë që lajmi politik është dominant dhe problemi është që pas një kohe që lajmi nuk është dominues është audienca që e kërkon sepse hyn në një estetikë të shijimit, të konfliktit politik si i tillë. Është një spektakël se kur vjen puna për të marrë pjesë në politikë, kjo nuk ndodh.
Sa më e politizuar të jetë axhenda aq më pak merr pjesë qytetari në politikë. Kjo që na ndodh ne, në mënyrë spontane, rezultati është ky”, deklaroi Fuga.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb