Këshilltari demokrat në Bashkinë e Tiranës, Dorian Teliti, në emisionin Log. në News24, është i mendimit se shumë shpejt do të ketë zgjedhje në Tiranë, që sipas tij, do të jenë në muajin nëntor.
Sa i përket kandidatit që do të nxjerrë opozita përballë Manastirliut në Tiranë, Telit është i mendimit se ai duhet të jetë figurë politike, pasi një figurë tjetër, sado i njohur të jetë, nuk e ka kohën e duhur për të bërë fushatë.
Dorian Teliti: “Mendoj se shumë shpejt do të shpallen zgjedhje në Bashkinë e Tiranës. Se kush do të dali kandidat për opozitën e bashkuar, besoj do të merret vesh në ditët në vijim. Në parim, cdokush që ka qenë drejtues i lartë, e thënë ndryshe, deputet apo ish-deputet, këshilltar apo ish-këshilltar, drejtues të lartë të bashkisë kur e ka drejtuar PD, ish-prefektë, drejtuesh qarqesh apo ish-ministra, janë të tërë kandidat potencial për të Tiranën.
Të gjithë duhet të jenë të gatshëm në rast se u kërkohet kandidimi. Ka një debat të jetë politik apo teknik. Por ka pak kohë, pasi zgjedhjet janë shumë shpejt, mendoj në nëntor. Duke qenë kaq shpejt, nuk ke kohë të kandidosh një figurë teknike sadoqoftë figurë e njohur. Kështu që duhet të jetë figurë politike. Në Bashkinë e Tiranës, rezultati ka qenë 52 me 48 për PS, kështu që nuk e shoh të pamundur të fitojë opozita.”
