Drejtuesi i ri i Departamentit Brain Gain në PD, Tedi Kopliku shpalosi sot vizionin e tij për drejtimin e kësaj strukture pranë PD, një platformë mendimi dhe instrument i rëndësishëm për hartimin e politikave programore. Në prani edhe të kryetarit të PD, Sali Berisha u bë prezantimi i Koplikut në krye të Brain Gain, duke pasuar në këtë funksion Andi Mustafaj, i cili dha dorëheqjen disa javë më parë.
Në fjalën e tij, Kopliku tha se departamenti Brain Gain do të jetë jo vetëm laborator idesh, por edhe laborator i burimeve njerëzore, në Shqipëri dhe në botë, për të rinj e të reja që nuk kanë pasur mundësi të angazhohen në format tradicionale, klasike të angazhimit të deritanishëm.
“Propozimi im për drejtimin e ri, i ndarë në tre shtylla, do të konkretizohet me projektet e vitit 2026. Tre shtyllat ku do të zhvillojë aktivitetin Departamenti Brain Gain janë: Anti-propaganda, Propozimet Strategjike dhe Headhunting, që do të funksionojnë si enë komunikuese për të thithur afër PD-së profesionistët shqiptarë nga e gjithë bota, që idetë e tyre të bëhen ide të Partisë Demokratike. Synimi i Departamentit Brain Gain është mbajtja dhe kthimi i trurit në Shqipëri. Ky Brain Gain fillon me atë politik dhe kjo hapësirë ka funksionuar më së miri për këtë lloj Brain Gain-i, ku shumë të rinj e të reja shqiptarë kanë filluar e rritur angazhimin e tyre politik. Pa asnjë ekzagjerim e them që ky Departament u bë një nga arsyet e kthimit tim në Shqipëri nga Franca për t’u angazhuar me këtë intensitet në politikën shqiptare”, tha ai.
Fjala e Koplikut
Fillimisht dua të falënderoj ish-drejtuesin e këtij departamenti, Andin, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë këto tre vite, në ditë të vështira të PD-së, kur ky departament u krijua. I krijuar me rithemelimin, ky departament u bë një urë lidhëse me të rinj e të reja shqiptarë në të gjithë botën. U bë platformë mendimi e veprimi të profesionistëve të shumtë, disa prej të cilëve të paangazhuar politikisht më përpara. Ajo që unë e quaj risia më e madhe e politikës shqiptare nuk do të ishte e mundur pa vizionin e Andit, këmbënguljen, punën dhe qartësinë që e karakterizuan këta tre vite.
Jam krenar që kemi qenë bashkëudhëtarë që në ditën e parë të këtij departamenti, i cili nuk u bë asnjëherë trampolinë për drejtuesin apo për individë të caktuar, por gjithmonë hapësirë meritokracie për këdo që punoi, sipas profileve, kohës dhe mundësive. Falënderoj çdo anëtar që kontribuoi me shumë seriozitet e profesionalizëm, duke e pasuruar punën e Partisë Demokratike me një qasje institucionale dhe racionale. Duhet të jemi krenarë që në një klimë të turbullt, sulmesh e propagande, kemi arritur të ndezim një dritë për të parë më qartë, duke krijuar një klimë bashkëveprimi e solidariteti që unë, në 20 vite angazhim në struktura, nuk e kam hasur më përpara. Treguam që nuk ishim një fasadë, si thjesht disa fytyra të reja, por ishim provë e potencialit të vërtetë të kësaj Partie për të frymëzuar idealistë e patriotë.
Me Librin e Punëve të Mira kthyem prozhektorët te e vërteta, për të cilën demokratët duhet të jenë krenarë. Me Kërkimin e Simboleve bëmë betejën e ideve dhe vlerave. Me shkrimet, studimet dhe emisionet e shumta çuam zërin se janë idetë mbi të cilat duhet të diskutojmë e jo boshllëku pa substancë që mbush çdo natë debatin publik, prej banakëve televizivë te kafenetë ku sistemi i patronazhimit vret çdo diskutim mbi esencën, duke mbetur në fasadë. Me ATA THYHEN çmontuam propagandën inxhinierike që ushqente opinionin publik në çdo cep. Propozimet tona për programin elektoral të 2025-ës, ndihmesa që dhamë edhe në zgjedhjet lokale të 2022-shit e 2023-shit apo dhjetëra projekte të tjera që ky departament ka finalizuar, kanë ndërtuar këmbën e propozimit, përveçse atë të denoncimit.
Brain Gain në këtë mënyrë sot është një pasuri për PD-në dhe të djathtën shqiptare. Sot është ditë të kujtojmë atë që arritëm me sukses dhe të çojmë më larg pikërisht atë që ka funksionuar, por edhe duke korrigjuar limitet e tre viteve të para. Për këtë na duhet më shumë pedagogji nga ana jonë dhe më shumë komunikim e lidhje me strukturat e Partisë Demokratike, për ta bërë punën e Departamentit të dalë jashtë departamentit, për të ndihmuar PD-në në ato fusha ku Departamenti ka fituar një lloj ekspertize.
Propozimi im për drejtimin e ri, i ndarë në tre shtylla, do të konkretizohet me projektet e vitit 2026. Tre shtyllat ku do të zhvillojë aktivitetin Departamenti Brain Gain janë: Anti-propaganda, Propozimet Strategjike dhe Headhunting, që do të funksionojnë si enë komunikuese për të thithur afër PD-së profesionistët shqiptarë nga e gjithë bota, që idetë e tyre të bëhen ide të Partisë Demokratike. Synimi i Departamentit Brain Gain është mbajtja dhe kthimi i trurit në Shqipëri. Ky Brain Gain fillon me atë politik dhe kjo hapësirë ka funksionuar më së miri për këtë lloj Brain Gain-i, ku shumë të rinj e të reja shqiptarë kanë filluar e rritur angazhimin e tyre politik. Pa asnjë ekzagjerim e them që ky Departament u bë një nga arsyet e kthimit tim në Shqipëri nga Franca për t’u angazhuar me këtë intensitet në politikën shqiptare.
Anti-propaganda do të merret me projekte që çmontojnë propagandën dhe përgatisin debatues për të zhveshur fasadën e gënjeshtërt që i imponohet opinionit publik nga mëngjesi në darkë. Në formatin e ATA THYHEN do të mbrojmë tezat e Partisë Demokratike dhe do të hedhim dritë mbi atë që u mohohet shqiptarëve: të vërtetën, duke thyer narrativën e rreme të regjimit. Kjo do të shërbejë për përgatitjen e folësve, debatuesve dhe manualeve që demokratët dhe shqiptarët të kenë një të vërtetë alternative nga ajo që shpërndahet me regji. Podcasti ZËRAT po ashtu do të jetë një hapësirë më shumë për këta zëra dhe për debatin e ideve.
Shtylla tjetër, ajo e propozimeve strategjike, ka si qëllim që pas analizave, monitorimeve dhe studimeve të arrijmë të japim propozimet tona ciklike, qoftë politike drejtuar drejtuesit të PD-së dhe Kryesisë, qoftë të ndihmojmë grupin parlamentar në propozimet e ligjeve që ndihmojnë PD-në dhe Shqipërinë. Një nismë për propozime e kemi realizuar me studimin e sjelljeve të opozitave në vende autoritare si Shqipëria, ku Partia Demokratike mund të marrë praktika e aksione që mund t’i përshtasë në aksionin e saj politik. Studime të tjera mund të jenë sistemet e ndryshme elektorale në botë apo edhe në histori, ku PD-ja mund të ketë disa propozime për të shtyrë përpara një reformë të mundshme zgjedhore nesër, apo përdorimin e inteligjencës artificiale në politikë, etj. Pra, artikuj tematikë që përfundojnë me disa propozime konkrete ndaj vendimmarrësve në PD: përmbledhje dhe propozime që mund të shërbejnë si bazë për politika dhe nisma ligjore. Dy nga anëtarët e BG-së janë edhe këshilltarë të Grupit, çka do ta lehtësojë komunikimin e ideve tona apo propozimeve tona.
Ç’është e vërteta, në tre vite të gjitha projektet tona janë aprovuar dhe mbështetur nga Kryetari i Partisë Demokratike, por sigurisht ka vend për përmirësim për sa i përket shpërndarjes kapilare të kësaj pune. Diskutimi mbi propozimet tona do të ishte vlerësim për punën, por edhe një presion më i lartë për të qenë seriozë me punën që dorëzojmë. Kjo, në mendimin tim, do të rriste cilësinë e propozimeve tona, por edhe interesin për Departamentin Brain Gain, duke tërhequr më shumë intelektualë dhe profesionistë në PD, që idetë e tyre të bëhen idetë e PD-së. Hapësira për të bërë politikë ka qenë çelësi i suksesit të Departamentit dhe kam bindjen e plotë që në mundësinë që u jepet të rinjve për të bërë politikë, gjejmë talentë dhe kapacitete të nevojshme për PD-në.
Shtylla e tretë do të jetë Head Hunting, pra gjetja e kokave dhe e trurit për t’i bërë pjesë të Brain Gain-it e rrjedhimisht edhe të PD-së. “Në Kërkim të Simboleve”, ku për 12 muaj dolëm në 12 qytete të ndryshme, apo edhe “Kërko Ndihmë, Merr Ndihmë” me kandidatët e zgjedhjeve të fundit, apo “Dhuro Libër”, kanë qenë aktivitete që na kanë ndihmuar të takojmë demokratët nëpër rrethe dhe kanë rritur interesin për punën e Departamentit. Duke marrë parasysh që viti 2026 do të jetë viti paraelektoral për zgjedhjet lokale të 2027-ës, kemi menduar një projekt ambicioz si “Qyteti Im”, i cili do të përfshijë pak nga të gjitha projektet e shkuara dhe synimet për projektet e ardhshme. Do të mundohemi të bëjmë një studim për çdo qark, të paktën për secilin qytet kryesor të qarkut, mbi çfarë është bërë mirë në kohën kur drejtonte PD-ja, çfarë problematikash ka aktualisht dhe disa propozime konkrete për zgjidhje. Një dokument final në fund të vitit për 12 qytete në 12 muaj do të ishte një dokument i mirë për kandidatët e PD-së në zgjedhjet e ardhshme, por edhe dokumentim i asaj që ne kemi bërë në 35 vite kur kemi drejtuar.
Ky projekt do të jetë projekti kryesor i Head Hunting, sepse për të bërë studimin do të lidhemi, si në praktikën që kemi ndjekur edhe me LPM-në, me ish-drejtues të PD-së, specialistë lokalë apo këshilltarë bashkie. Pas një dokumenti fillestar, do të shkojmë për një bashkëbisedim me përfaqësues lokalë dhe drejtues të PD-së për një bashkëbisedim mbi dokumentin fillestar, për të marrë mendime plotësuese për dokumentin final. Ky projekt do të ndihmojë jo vetëm për krijimin e kontaktit me njerëz që i kanë shërbyer PD-së ndër vite, por do të jetë edhe një ftesë për të rinj e të reja profesionistë për t’u angazhuar në të gjitha këto qytete. Ky projekt do t’i jepte një ekspozim punës tonë dhe do të ishte një mënyrë e mirë për të identifikuar kapacitete intelektuale e patriotike në të gjithë qarqet e Shqipërisë. Ky projekt është baza për ndërtimin e elitës së re lokale, për lidhjen mes brezit të djeshëm të Partisë Demokratike dhe profesionistëve të sotëm, brenda dhe jashtë vendit. Brain Gain duhet të jetë dera e hapur për ata që duan të kontribuojnë me ide. Për këtë na duhet ndihma edhe e deputetëve apo drejtuesve lokalë.
Departamenti Brain Gain në këtë formë do të jetë jo vetëm laborator idesh, por edhe laborator i burimeve njerëzore, në Shqipëri dhe në botë, për të rinj e të reja që nuk kanë pasur mundësi të angazhohen në format tradicionale, klasike të angazhimit të deritanishëm.
Brain Gain, nën drejtimin tim, do të vazhdojë t’u mbetet parimeve të krijuara, si lidhja midis brezave, krijimi i hapësirave për çdo demokrat, qasja institucionale e një strukture administrative siç është Departamenti Brain Gain dhe duke u fokusuar për të bërë atë që nuk bëhet, jo duke u mbivendosur apo duke bërë punën e strukturave të tjera. Departamenti Brain Gain do të jetë model i shembullit nëpërmjet punës dhe duke shkuar drejt zgjidhjes, pa mbetur vetëm në konstatime, siç ka bërë deri tani.
Duke mos u ndalur më shumë në detaje, ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen, por edhe mbështetjen që shumë prej jush na keni dhënë prej tre vitesh, pa të cilën puna jonë s’do të ishte e mundur. Uroj të vazhdoj modelin që ka lënë Andi në drejtim dhe të mbajmë standardin e lartë në atë që realizojmë.
Shqipëria është në një udhëkryq dhe Partia Demokratike pranë rikthimit në pushtet për shkak të shembjes së regjimit nga mega-skandalet, çka do të duhet të gjejë një Parti të gatshme për pushtet dhe të aftë për të gjeneruar ide dhe për të identifikuar patriotë intelektualë për Shqipërinë e nesërme, e për këtë jam i bindur që ne si Departament do të luajmë një rol të rëndësishëm. Shqipëria i ka humbur lidhjet me diasporën, përveç familjarëve të patronazhistëve të administratës që kërkohen ditën e votimit, por jo një lidhje organike me diasporën e saj që do të duhej ta mbanin ambasadat. Edhe në këtë aspekt Brain Gain duhet të luajë një rol kyç për krijimin dhe mbajtjen e lidhjes me diasporën shqiptare, në mënyrë që Brain Gain-i në tre fazat që ne kemi në qëllimin tonë të vijë si proces e jo si episod i izoluar.
