Drejtori Akademik i Asociuar në departamentin e Statistikës pranë London School of Economics (LSE), James Abdey, i ftuar në News24, ka folur për mundësitë që ofron bashkëpunimi mes LSE dhe Universitetit Luarasi për studentët shqiptarë.
Abdey theksoi se studentët e “Luarasit” kanë mundësi të marrin pjesë në Shkollën Verore të LSE-së në Londër, një program tre javor intensiv, ku kreditet e fituara mund të transferohen në programet që ndjekin në Shqipëri. Për më tepër, studentët mund të aplikojnë për Programin e Përgjithshëm të LSE-së, i cili ofron një vit të plotë akademik në kampusin e Londrës. “Kurrikula jonë është standardizuar në të gjitha 132 qendrat e mësimdhënies në botë, duke i mundësuar studentit të nisë vitin e parë në Shqipëri, vitin e dytë në një vend tjetër dhe vitin e tretë në një tjetër kontinent, duke fituar një eksperiencë ndërkombëtare të pasur,” tha Abdey.
Ai gjithashtu sqaroi se pas përfundimit të programit, studentët marrin një diplomë nga Universiteti i Londrës, nën drejtimin akademik të LSE-së, e njëjtë për të gjithë studentët globalisht, pa referencë për vendin ku kanë studiuar. Të gjitha provimet dhe detyrat hartohen dhe vlerësohen nga akademikët e LSE-së, duke garantuar të njëjtin standard si në Londër.
Sa i përket kostos, Abdey u shpreh se tarifat për studentët shqiptarë janë dukshëm më të ulëta se ato në Londër, duke lehtësuar qasjen në këtë program ndërkombëtar, pa kompromentuar cilësinë e mësimdhënies dhe të vlerësimit.
Ky bashkëpunim hap mundësi të jashtëzakonshme për studentët shqiptarë, duke i integruar në një komunitet global dhe duke u ofruar përvojë dhe diplomë me ndikim ndërkombëtar.
Pjesë nga intervista:
Abdey: A kanë studentët mundësi të transferojnë studimet e tyre në Londër dhe anasjelltas?
Po, absolutisht po. Kjo është një nga mundësitë më të vlefshme që ofron ky program.
Së pari, studentët mund të marrin pjesë në Shkollën Verore të LSE-së, programi më i madh i këtij lloji në Evropë, ku ofrohen kurse trejavëshe intensive në kampusin e LSE-së në Londër. Nëse një student ndjek dy lëndë dhe arrin rezultate të mira, mund t’i transferojë këto kredi në programin që po ndjek në Universitetin Luarasi.
Së dyti, ekziston Programi i Përgjithshëm i LSE-së, një program vjetor shumë konkurrues që u jep studentëve mundësinë të kalojnë një vit të plotë akademik në LSE. Studentët nga Luarasi që kanë rezultate të larta mund të aplikojnë për këtë mundësi.
Së treti, shumë studentë synojnë të vazhdojnë studimet master në LSE. Meqenëse programet që ndjekin në Shqipëri janë hartuar nga vetë akademikët tanë, ata kanë një përparësi të natyrshme në procesin e pranimit.
Në thelb, kurrikula është e standardizuar në të gjitha 132 qendrat tona të mësimdhënies, kështu që një student mund të ndjekë vitin e parë në Shqipëri, të dytin në një vend tjetër dhe të tretin në një tjetër continent, duke fituar një eksperiencë të pasur ndërkombëtare.
Abdey: Studentët do të marrin një diplomë ndërkombëtare me kosto më të ulët. Si funksionon kjo dhe çfarë vlere ka diploma e tyre?
Pas përfundimit me sukses të studimeve, studentët marrin një diplomë nga Universiteti i Londrës, ku shënohet qartë që programi është nën drejtimin akademik të LSE-së. Diploma është e njëjtë për të gjithë studentët në botë , pavarësisht nëse studiojnë në Shqipëri, Egjipt apo Brazil dhe nuk përmban asnjë referencë për vendin ku kanë studiuar.
Të gjitha provimet, detyrat dhe format e vlerësimit hartohen dhe korrigjohen nga akademikët e LSE-së, duke garantuar të njëjtin standard me atë që aplikohet në Londër.
Në lidhje me tarifat e studimit, po, ato janë dukshëm më të ulëta sesa në LSE Londër. Kjo është bërë me qëllim për të ulur barrierat financiare dhe për t’i dhënë më shumë studentëve mundësinë të ndjekin kurrikulën e LSE-së. Edhe pse kriteret e pranimit janë më fleksibël, standardet e mësimdhënies dhe të vlerësimit mbeten të njëjta. Çdo student vlerësohet sipas të njëjtit nivel akademik që kërkohet edhe në Londër.
