Pushuesit të cilët kishin zgjedhur dje të pushonin në zonën e Radhimës, kanë përjetuar një nga ngjarjet më të frikshme, duke u ekspozuar ndaj një rreziku serioz, që për fat nuk përfundoi në ndonjë tragjedi.

Duket se një sherr për biznesin e përbashkët në zonën e plazhit, ka “tërbuar” 34-vjeçarin Edison Kondin, i cili ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të vëllait të tij, 45-vjeçarit Benjamin Kondi.

Por sikur të mos mjafton ngjarja e rëndë mes dy vëllezërve, 34-vjeçari nuk është shqetësuar aspak që zona ishte plot me pushues, të cilët janë frikësuar dhe kanë vrapuar për t’u shpëtuar plumbave.

E gjithë arsyeja e këtij konflikti mësohet se ka qenë për administrimin e zonës së plazhit ku dy vëllezërit kishin biznesin.

Për fat të mirë, plumbat nuk kanë kapur as objektivin, e as ndonjë pushues të rastësishëm. Por një prej pushuesve, në tentativë për t’u shpëtuar plumbave, duke vrapuar është dëmtuar në pjesën e kurrizit, por fatmirësisht lehtë.

Sakaq, policia, pak minuta pas ngjarjes ka vënë në pranga 34-vjeçarin, që fillimisht u largua në tentativë për t’i shpëtuar forcave blu.

Policia për të zbardhur detajet e kësaj ngjarjeje që traumatizoi pushuesit që ndodheshin në këtë zonë, ka shoqëruar në komisariat 9 persona për t’i marrë në pyetje në lidhje me rrethanat.

Ndërkohë, policia në njoftimin zyrtar bëri me dije se grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb