Tetë personat e arrestuar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit do të dalin sot para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë.

Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela. Në pranga ka rënë edhe shtetasja Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit.

Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, në kuadër të të njëjtit operacion.

Ngjarja:
Altin Ndoci, një prej emrave më të shumëpërfolur të botës së krimit i pandehur në procesin “Plumbi i Artë” dhe i cilësuar si vrasësi me pagesë i organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, u arratis të martën nga ambjentet e spitalit rajonal në Durrës.
Ai ishte shoqëruar nga punonjësit e policisë së Burgjeve për vizita mjekësore në repartin Infektiv në dhomën e posaçme ku trajtohen të paraburgosurit apo të dënuarit, për shkak se kishte shfaqur probleme me veshkat. Bashkë me Ndocin për vizitë në spital ndodhej edhe një i paraburgosur tjetër.
Burimet thonë se një moment ka kërkuar të shkojë në tualet ku aty ka goditur një nga 3 punonjësit e policisë së burgjeve dhe është larguar.
Mësohet se një nga policët ka qëlluar në ajër teksa ndiqte Ndocin, por ai është larguar me shpejtësi sikurse shihet edhe në këto pamje….
Në parkimin e spitalit atë e priste një Audi të bardhë, A7, me targa AA700RS dhe sapo është ngjitur në të, mjeti ka lëvizur në drejtim të Spitallës duke humbur më pas çdo gjurmë.
I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe akuzohet vrasje me pagesë. Ai akuzohej në këtë të këtij procesi për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, ngjarje ne të cilën e implikoi vrasësi me pagesë Nuredin Dumani që mban statusin e të penduarit të drejtësisë. Për të kryer këtë vrasje ai ishte rekrutuar nga Talo Cela, dikur mik e më pas armik me Nuredin Dumanin.
Pas përplasjes së dy miqve, Dumani veproi për llogari të Erion ALibej, kundërshtar me Çopjat, ndër4sa Talo Cela për llogari të Franc e Hajdar Copjas.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Ndoci kishte vepruar si vrasës për llogari të organizatës Çopja. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb