Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga megaoperacioni ‘Trinomi’, që çoi në arrestimin e 28 personave, përfshi policë, zyrtarë, biznesmenë dhe të dënuar.

Në pamjet në fjalë shihet se policia ka zbardhuar në disa banesë të të arrestuarve, ndërsa i ka shoqëruar ata në komisariat.

“Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore e proceduriale dhe ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës për masat e sigurisë për personat e implikuar në vepra të ndryshme penale, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 milionë lekë të rinj, një pistoletë tip “Glock”, si dhe sende e prova të tjera të cilat i shërbejnë hetimit. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me punonjësit e sistemit të burgjeve, merrnin dhe transmetonin porosi të cilat cenojnë rëndë sigurinë e burgjeve, por dhe sigurinë kombëtare, si dhe në disa raste furnizonin me lëndë narkotike dhe sende të tjera të ndaluara, të dënuarit apo të paraburgosurit.

Gjithashtu, këta shtetas cenonin rëndë rregulloren e brendshme të funksionimit të institucioneve në burgje. Të gjitha këto veprime kryheshin kundrejt përfitimeve, duke shpërdoruar detyrën apo me anë të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike.
Hetimet janë në proces dhe po hetohet në lidhje me impaktin e tyre në procedime apo ngjarje të tjera pa autor. Bashkëpunimi institucional, shkëmbimi i informacionit dhe hetimet proaktive në veçanti, do të jenë edhe në të ardhmen kryefjala e përbashkët e Policisë dhe agjencive ligjzbatuese, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale, parandalimin e krimeve të rënda, hetimin e grumbullimin e provave për ngjarjet e vjetra pa autorë, si misioni kryesor i këtyre institucioneve për sigurimin e qetësisë publike në juridiksionin e qarkut të Elbasanit.”, thuhet ne njoftimin e policise.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: