Kadri Hazbiu ka qenë zgjedhja e parë e Enver Hoxhës për të zëvendësuar Mehmet Shehun, ish-Kryeministrin komunist të vetëvrarë në rrethana të dyshimta në dhjetor 1981. Fakti i panjohur bëhet i ditur nga një dokument sekret i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror, më 2 janar 1982. Në prani të liderëve kryesorë, kreu i regjimit, duke folur për gjendjen e rëndë në Këshillin e Ministrave, zbulon për herë të parë emrin e Kryeministrit të ri.

“Kadri Hazbiu është kandidatura më e përshtatshme, është kuadër i vjetër, shok i luftës dhe nuk ka asnjë lidhje me frymën e Mehmet Shehut”, shprehet Hoxha. Njëherazi me emrin e ish-ministrit historik të Punëve të Brendshme, shefi i Partisë ka hedhur për diskutim edhe atë të Adil Çarçanit, ish-numrit dy të kabinetit Shehu.

Në analizë e sipër, më pas ka argumentuar avantazhet e kandidaturës së Hazbiut me një lloj kujdesi për të mos lënduar tjetrin.. Në dokumentin e zbardhur nga Haxhi Kroi, sekretari personal i Hoxhës, bëhet e ditur se Kadri Hazbiu jo vetëm është befasuar nga oferta e shefit të Partisë, por aty për aty, me atë modesti, ka vënë në dukje se do të ishte më mirë të qëndronte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sidoqoftë, Enver Hoxha që nuk ia ka vënë veshin shumë njeriut që ka zgjedhur për të zëvendësuar Shehun, e ka mbyllur takimin duke porositur të tjerët për të vënë në dijeni edhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike me emrin e Kryeministrit të ri. Po çfarë përmban tjetër biseda sekrete e Hoxhës me liderët kryesorë të Partisë dhe cilat ishin arsyet që ndërroi mendje për zëvendësimin e Hazbiut me Adil Çarçanin…

Enver Hoxha Kadri Hazbiu Pse Duhet Te Jete Kryeminister111
Enver Hoxha Kadri Hazbiu Pse Duhet Te Jete Kryeminister111

DOKUMENTI 

Shënime nga biseda e shokut Enver lidhur me organizmin e Këshillit të Ministrave 2 janar 1982  Pas zbulimit të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, përpara neshtrohet detyra e rëndësishme e rigjenerimit të punës në aparatet shtetërore, duke filluar veçanërisht nga Këshilli i Ministrave.

Në krye të qeverisë kishim një armik, prandaj atje dobësitë e të metat janë serioze. Mehmet Shehu kishte vendosur një metodë të gabuar, një stil personal që zëvendësonte udhëheqjen kolegjiale me urdhrat e tij. Ai, në mënyrë sistematike, me prepotencën e vet ka ushqyer frikën te njerëzit.

Mehmet Shehu donte që njerëzit t’i kishte robotë që të zbatonin qorrazi urdhrat e tij. Tani na bie detyra të gjithëve që ta rigjenerojmë këtë situatë. Është e domosdoshme që  shokët e qeverisë, sidomos ata të kryesisë, të reflektojnë thellë për të metat e dobësitë. Disa herë unë u kam kërkuar  shokëve të kryesisë, por edhe ministrave, për të më vënë në dijeni të problemeve që trajtojnë në sektorët e tyre. Me përjashtim të shokut Kadri, që ka ardhur vazhdimisht tek unë dhe te shokët e tjerë, sekretarë të KQ-së, shokët e tjerë rrallëherë janë parë në zyrat e KQ-së.

Shokët e Kryesisë vinin në aparatin e KQ-së më shumë kur thirreshin nga ne. Në këto takime ka pasur shpesh këshilla e rekomandime që  të hiqnin dorë nga cikërrimat e puna rutinë, që të korrigjonin të metat që vinin nga nxitimi dhe mungesa e studimit. Edhe në këto raste, përsëri asgjë nuk bëhej pa pyetur Mehmetin, shokët zëvendëskryeministra i raportonin çdo gjë atij…Përse shokët e kryesisë nuk vinin tek unë? Sepse Mehmeti  i mbante si në fre, i gënjente se për çdo gjë sikur ai bisedonte me mua. Duke e parë gjendjen kështu siç është, kush duhet të jetë në krye të qeverisë si Kryeministër? A mund të jetë Adili?

Po ta shohim çështjen nga ana e besimit politik, nuk ka dyshim, shoku Adil i ka të gjitha kushtet. Edhe si njohës i çështjeve të qeverisë, i problemeve  ekonomike, është shok i përshtatshëm. Por a do të jetë në gjendje shoku Adil të udhëheqë procesin e rigjenerimit të punës në tërë aparatet shtetërore, të ndryshojë metodën dhe stilin e punës që është kultivuar për vite me radhë jo vetëm në aparatin e Kryeministrisë, por  edhe në dikastere e në komitete ekzekutive? Unë mendoj që shoku Adil, duke  punuar kaq vjet me radhë me atë stil e metodë që frymëzonte Mehmeti, do ta ketë të vështirë të bëjë kthesë menjëherë.

Në një farë mënyre, ai është impenjuar me atë stil pune, pavarësisht se nuk është as prepotent, as arrogant. Përkundrazi, është një shok i shtruar, që dëgjon të tjerët dhe mban marrëdhënie korrekte me shokët. Nga ana tjetër, si do ta priste partia dhe populli emërimin e Adilit në postin e Kryeministrit? Prandaj, mendoj se më e arsyeshme do të jetë që si Kryeministër të vihet një shok tjetër, që t’i ketë kushtet për ta kryer mirë këtë  detyrë të rëndësishme. Mendoj se kandidatura më e përshtatshme është ajo e shokut Kadri Hazbiu. Shoku Kadri nuk është i huaj për problemet shtetërore, politike, ekonomike, kulturale e të mbrojtjes. Ai është një kuadër i vjetër në parti dhe shok i luftës.

Populli dhe partia e dinë që ai nuk ka asnjë lidhje me frymën dhe metodën e Mehmet Shehut. Kadriu është energjik, është kundër arrogancës e prepotencës, i respekton dhe  dëgjon shokët, u përmbahet me korrektësi normave të Partisë, parimit të  kolegjialitetit. Caktimi i Kadriut si Kryeministër do të pritet mirë si brenda, edhe jashtë.

Brenda, siç thashë, populli  dhe partia do kënaqen se në krye të qeverisë vjen një shok që njihet si i aftë për të  bërë ndryshimet që nevojiten. Kurse jashtë, do të konstatojnë që po forcohen pozitat e partisë, sepse Kadriu njihet si ish- ministër i Brendshëm dhe tani si ministër  i Mbrojtjes. Pra, nga të dyja aspektet më  mirë bëhet që të caktohet Kadriu si Kryeministër./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb