NGA BRIKENA METAJ

MEMALIAJ- Të gjithë e njohin dhe identifikojnë qytetin jugor të Memaliajt me një emër të vetëm: “Qyteti i minatorëve”. Kanë qenë këta të fundit që i dhanë jetë këtij qyteti. Shenjat e para të jetës qytetare, në atë që më vonë do të shndërrohej në një qytet, datojnë prej vitit 1946, si qendër industriale për prodhimin dhe shfrytëzimin e mineralit të qymyrgurit, por vëmendja për këtë zonë të pasur kishte lindur në vitet ’30 me ekspeditat e ndryshme të specialistëve italianë.

Miniera u ndërtua fillimisht nga ushtria italiane në fushën e Memaliajt, ku u hap një pus i shkurtër, gjurmët e të cilit dalloheshin deri në vitet `60. Qëllimi i ndërtimit të saj ka qenë shfrytëzimi i vendburimit të qymyreve të Memaliajt. Ky vendburim fillon diku në veriperëndim të Tepelenës dhe mbyllet në juglindje të Gllavës, me një shtrirje mbi 15km.

Vendburimi i qymyrit në Memaliaj është zbuluar gjatë Luftës së Parë Botërore nga gjeologë austro-hungarezë, italianë e francezë. Relacionet e para datojnë në vitet 1914-1916, kohë kur nisi edhe interesimi i flotës italiane për përdorimin e qymyrit për nevojat e veta, si dhe punimet e para në fushën e Vjosës në krahun juglindor me një pus 63m të thellë, prej nga u morën 7000-8000 ton qymyr.

Punëtorët shqiptarë të ardhur nga rrethinat jugore, banonin në kasolle. Ndonëse punonin deri në 16 orë në ditë, ata ushqeheshin sa për të mbijetuar dhe shpërbleheshin 25 herë më pak se italianët. Pas luftës, në pranverën e vitit 1946 filluan punimet e para për hapjen e minierës. Qymyri nxirrej nga oxhaqet, rrëzohej me sqep, rrallë herë me lëndë eksplozive, pa teknologji shfrytëzimi.

Në vitin 1966, Memaliaj kishte tre sektorë që zhvilloheshin në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri brenda fushës qymyrmbajtëse. Në atë kohë në minierë punonin rreth 550 minatorë nëntokë që nxirrnin rreth 160 mijë ton qymyr në vit. Një rëndësi të veçantë në plotësimin më të mirë të nevojave të ekonomisë me qymyr dhe rritjes së efektivitetit të prodhimit ka dhënë vënia në shfrytëzim në vitin 1971 e fabrikës së pasurimit të qymyrit.

Në vitet `90 në këtë minierë me kapacitet prodhimi 500 mijë ton në vit, punonin rreth 3000 punëtorë, 1800 prej të cilëve punonjës nëntoke.

Qyteti i minatorëve ka plot 218 invalidë të minierës. Pensioni i invaliditetit është e vetmja e ardhur për familjet e tyre. Minatorët e dikurshëm i kanë të pashlyeshme nga kujtesa ditët e tyre nga jeta në minierë. Për punëtorët e nëntokës kishte vetëm një urim “Dalsh mirë”, ndërsa ata ndaheshin me njëri – tjetrin e ndërsa familjarët i përcillnin dhe prisnin me frikë në zemër e sytë nga miniera, rikthimin e tyre, një vuajtje e përditshme shpirtërore që mposhte shumëfish dhimbjen fizike të minatorëve.

Punimet për ndërtimin e saj dhe hapjen e puseve të reja kanë shkaktuar dhjetëra viktima. Të gjithë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e nëndheshme kanë qenë deri në 50 vjeç. Në kujtesën e banorëve viti 1973 mbahet mend si viti tragjik i minierës.

Blloqet e para të ndërtesave të qytetit filluan të ngriheshin nga fillimi i viteve ‘50. Vendin e çadrave e të barakave buzë galerive e zunë godinat e para dykatëshe. U ngritën shkollat, kopshtet, çerdhet e para. Qyteti nisi të merrte formën e plotë me dyqane e mapo, u ndërtua kino-klubi, mensat, fjetoret e punëtorëve, lulishtet, parqet, rrugët. Memaliaj, një nga qendrat prodhuese me kryesore të vendit, ishte qyteti ku gjelbërimi dhe lulet ndesheshin kudo, në çdo rrugë e çdo ballkon shtëpie.

Dalëngadalë nisi edhe braktisja e qytetit, përgjysmimi i banorëve të saj. Prej vitesh varfëria është ulur këmbëkryq në qytetin jugor që shënon shifër të lartë papunësie dhe numër të madh familjesh me ndihmë ekonomike.

Të gjithë kujtojnë me nostalgji kohët e arta të lulëzimit të minierës dhe jetës në qytet. Ka prej tyre që i mban ende shpresa e vakët e ri funksionimit të minierës. Gjithçka ka mbetur sot prej saj janë rrënojat e godinave të dikurshme. Kjo minierë vazhdoi t’i ushqente banorët e saj edhe vite më pas. Grabitja e hekurave dhe skeleteve metalike ka qenë për shumë kohë një burim të ardhurash për familjet e Memaliajt.

Minatorët e kaluar në moshë tashmë kërkojnë me ngulm statusin e minatorit, shpërblimin e denjë për jetët e humbura në thellësitë e nëntokës dhe vlerësimin për ata mijëra minatorë që çdoherë futeshin në galeritë e nëndheshme me frikën se mund të mos dilnin më prej andej.

Miniera është sot e zhveshur nga shkëlqimi i dikurshëm. E heshtur në këtë cep të harresës është dëshmi e një kohe lulëzimi dhe jete. Krah saj shtrihet qyteti i Memaliaj, krijesa e saj. Godinat gjysmë të rrënuara dhe të boshatisura janë të vetmet relike të një kohe kur jeta gjallëronte me të gjithë bukurinë e vet. Sot, nga ajo kohë ka mbetur vetëm dhimbja dhe kujtimet e atyre që e jetuan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb