Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se nuk është i kënaqur me faktin që Dimal Basha u zgjodh sot kryetar i Kuvendit të Kosovës, por theksoi se partia e tij mbajti fjalën e dhënë publikisht për të ndihmuar në zhbllokimin e situatës.
Ai tha se Basha është zgjedhja e Vetëvendosjes për të përfaqësuar qytetarët në Kuvend, ndërsa rikujtoi se kërkesa e PDK-së për një konsultë u refuzua si në fillim të seancës, ashtu edhe sot.
“Që në fillim kemi shprehur gatishmërinë për të votuar një kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit të Albin Kurtit. Në momentin kur u propozua Dimal Basha, ne kërkuam një konsultë të shkurtër me grupet parlamentare, sidomos me Vetëvendosjen, por kjo na u mohua. Kërkuam që të propozohej dikush që qytetarët e Kosovës të mos ndiheshin keq ta shihnin në krye të Kuvendit,” tha Krasniqi.
Ai shtoi se, sipas VV-së, qytetarët përfaqësohen më së miri nga Dimal Basha, por në rrethana normale PDK nuk do ta votonte kurrë atë. “Ne votuam për të çarë bllokadën e Albin Kurtit dhe për t’i qëndruar besnik fjalës sonë publike, sepse kjo për ne është më e rëndësishmja. Fjalën që e dhamë, e mbajtëm,” u shpreh Krasniqi.
Kreu i PDK-së shtoi se nuk beson që as deputetët e Vetëvendosjes janë të lumtur me këtë zgjedhje, por pavarësisht kësaj Kuvendi tani ka një kryetar. “Shpresoj që shumë shpejt të kemi edhe nënkryetarë,” përfundoi ai.
