Kur hyn në rrugën e re të Lumit të Vlorës, sapo lë pas fshatin Kotë, merr rrugën e Sevasterit dhe ndërsa makina lundron mes një hapësire gjithë vreshta dhe stane, të del para një tabelë ku shkruan Vajzë.

Ke hyrë në fshatin që të pret me një poezi në vend të mirëseardhjes: “Fshat o fshati im i bukur, fshati im hane, hane, fshati që s’paska një të dytë, në këtë mavri jallane.” Është Ali Asllani, djali i fshatit Vajzë që i ka shkruar vendlindjes, poezi dashurie dhe fshati ia ka vënë portretin dhe poezinë në ballë të vendit.

Fshati Ali Asllani
Fshati Ali Asllani

Diku më tutje një shtëpi, afër bustit të Perlat Rexhepit, gjithë lule e fiq, ku më ftojnë të hyj.

Perlat Rexhepi Busti
Perlat Rexhepi Busti

Është Jaho që më tregon gjithë historinë e Vajzës, ndërsa na qeras me domate e speca bahçeje.

“Kur po ndaheshin kufijtë e fshatrave, shumë kohë të shkuara, atëherë kur një fshat kishte vetëm një shtëpi, u vendos që çdo shtëpi të çonte një djalë. Djemtë do të ecnin derisa të lodheshin. Aty ku do të ndalonin, do qe kufiri i fshatit. Fshati ynë kishte një shtëpi pa djem. Dërguan një vajzë. Vajza eci si gjithë djemtë. Fshati mori emrin e saj, ishte fshati i asaj vajzës. Fshati Vajzë.”

Jaho më tregon, ndërsa vajza e tij dëgjon. Ajo është në shkollë në Tiranë. Më thotë se më ndjek në Instagram.

Vajza
Vajza

Ndërsa vëllai i Jahos që ka ardhur nga Vlora të mbledhë shkopinj që i duhen për ullinjtë, më thotë se tani vjen shpesh nga Vlora. “Rruga më dha jetë të dytë. Vija një herë në vit. Tani mund të vij përditë. Nuk e di dot ç’është një rrugë, kur nuk të mungon.”

Jaho
Jaho

Vëllai i Jahos flet më shumë për Perlat Rexhepin, Ali Asllanin dhe gjithë historitë e fshatit, sa mendova se kishte qenë mësues letërsie.

“Jo, jo, -kam qenë marangoz thotë. Po jam nga Labëria. Si thotë Rexhep Qosja për Labërinë; është zemra e shqiptarisë.”

Duan patjetër të më mbajnë për drekë, po u them që drekë do të ha në shtëpi, me perimet e bahçes së tyre.

Fshat Rudina
Fshat Rudina

Marr me vete gjithë perimet e drekës dhe nisem për në Amantia, 5 kilometra më tej.

Pak më tutje, një djalë me motor na ndalon dhe na lut të shkojmë te Shpella e Vajzës, para se të vazhdojmë për Amantia. Se nuk keni parë kafe si ajo, mburret ai me kafen e fshatit, e gjitha e improvizuar brenda një shpelle të vjetër, rrethuar nga një liqen artificial, përbri të cilit është baxhoja me djathë deleje dhe fuçitë me rrush që presin të bëhen raki.

Unë kërkova kuleçë me djathë dhe erdhën për pak. I keni nga shtëpia na thanë, se është dhe shtëpia juaj.

Vajza E Rudines
Vajza E Rudines

Rruga për në Amantia është një panoramë më vete. Ka nisur vjeshta në ato male plot stane që një ditë, në mos që vitin tjetër do të jenë sofrat më të kërkuara të turistëve që lahen në Qeparo e Dhërmi.

Archelogical Park Of Amantia Ploce Vlore Albania Visit Albania
Archelogical Park Of Amantia Ploce Vlore Albania Visit Albania

Në Amantia gjejmë Arbrin që na shoqëron te stadiumi i qytetit që dikur kishte 40 mijë banorë. Sipër është kalaja ku shkohet me makinë, ndërsa përballë një vend i mirë, ku shkohet me kuaj.
Alana luante nëpër gurë mijëvjeçarë, sikur kishte lindur aty. Energjia e mirë e të kaluarës tonë, tërheq fëmijët, më parë.

Hila
Hila

Kur e lamë Arbrin për t’u kthyer sërish në Vajzë dhe mbushur ujë burimi, pastaj në Kotë, Drashovicë te një nga monumentet më të bukura të luftës dhe ura e famshme e Drashovicës derisa pa u ndjerë arritëm në Vlorë.

Amantia
Amantia

Ishin vetëm 34 kilometra nga Amantia në Vlorë dhe po nuk ke ndonjë plan fundjavën tjetër të ftoj ta bësh këtë rrugë.

Se vitin që vjen, nuk do e gjesh më si këtë vit, me këngë gjelash dhe muzikë burimesh, dele që pushojnë poshtë ftonjve dhe rrush që varet në tokë.

Shko, se mot nuk do e gjesh më këtë idil! Mot do të jetë plot me kampera, me autobusë me turistë, me stane ku do të ketë më shumë njerëz se qengja, me festa përditë tek Amantia.

Kur u ndanë kufijtë ishte fshati i asaj vajzës, do të dëgjosh Jahon t’ia tregojë historinë pa u lodhur çdo turisti që do të fotografojë dhe pyesë prapë e përsëri. U ktheva në Vlorë pasi hëngra mëngjes në Vajzë dhe bëra drekën me perimet e bahçes së Jahos.

Fergese
Fergese

Dhe jo sikur hëngra domate, po sikur kisha lexuar poezi gjithë ditën, nuk reshta dot së i kënduari vargjet e Ali Asllanit: “Fshat o fshat hane, hane, fshat që s’paska të dytë në këtë mavri jallane.” Poeti e dinte, po nuk e tregove, nuk është. Tregimi për Vajzën do e bëjë zemrën e festës, vitin që vjen. Ndaj shko, pa nisur festa!/ dritare.net/

Ali Asllani
Ali Asllani

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb