Nga Sven Aurén                       

Përkthyer  nga Adil N.Biçaku

Pjesa e Gjashtëmbëdhjetë

                                                                        ORIENTI EUROPES

Land af Albania! Let me bend mine eyes

On thee, thou rugged nurse of savage men.

                        Lord Byron.

Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.

Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.

Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.

Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.

Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.

Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.

     Me shumë respekt

       Adil Biçaku

                                                              Vijon nga numri i kaluar

Ky pacifikim, që unë përmenda, ka pasur për detyrë të krijoj qetësi dhe rehat për vetë banorët, të ndalojë gjakmarrjet dhe të forcojë pushtetin qendror të qeverisë. Si pasojë e këtij pacifikimi, ka një radhë reformash në dobi të vendit. Në bazë të shërbimit të përgjithshëm ushtarak, kemi ngritur një ushtri dhe numri i mobilizueshëm i meshkujve, arrin tani deri në 70—80.000. Forca paqësore përmban rreth 12.000, koha e shërbimit ushtarak luan prej 6 muajsh deri në 2 vjet, varet nga situata e brendshme dhe e jashtme. Për arsye ekonomike e kemi zhvendos një pjesë të përgatitjes ushtarake në shkollat, ku rinia merr mësim nga oficerë.

Në ato katunde dhe krahina, të cilëve u mungojnë shkollat, tetarë dhe nënoficerë të komanduar posaçërisht, u bëjnë ushtrime 2 a 3 herë në javë. Ajo rini, që merr dhe duhet të marrë pjesë në këto ushtrime, janë të moshës 15 – 20 vjeç. Pas mbarimit të kursit, “kurs paraushtarak” e quajmë ne atë, u jepet djemve një dëftesë. Kur ata kanë mbush moshën 21 vjeç, paraqiten në Zyrën e Regjistrimit vjetor të Rekrutimit. Nga njëqind djem, zgjidhen vetëm nja njëzet e ca dhe ata janë ata që kanë dëftesën më të keqe. Të tjerët i shpëtojnë shërbimit ushtarak ose shkollohen për oficerë rezervë dhe numri i të cilëve arrin tani deri në 1.600.

-Ju flisni për vende, që u mungojnë shkollat.

-Mendohu pak tani. Ju e thoni atë në një ton, sikur të ishte shumë e çuditshme, që neve nuk kemi mund të përgatisnim mundësi shkollash, në çdo njërin nga katundet e shumta të Shqipërisë. Me të vërtetë është shumë e rëndësishme, që mësimi i ynë shkollor ka pas një fillim kaq të mirë. Ju dini, se regjimi turk, bëri aq sa mundi për të penguar shkollimin. Aq vonë, sa në vitin 1912, mezi mundeshim veç me përjashtim, të një numri shkollash fetare, (ku si rregull, bëhej më shumë propagandë politike se sa mësim), me fol për një shërbim shkollor shqiptar. Gjatë viteve të turbullirave deri në themelimin e Monarkisë,……. e një organizimi shkollor unik.

Merr p.sh. vitin 1920. Sa ishte pjesa e popullsisë shqiptare, besoni ju, se dinte të lexonte dhe shkruante në atë kohë? 10 përqind! Sot shifra e analfabetizmit, ka zbrit drejt 40 përqindëshit. Ky është një ndryshim i rëndësishëm. Ne kemi 577 shkolla popullore, pesë klasëshe, të shpërndara mbi të gjithë vendin dhe mbi njëmijë mësues. Numri i shkollave të mesme arrin në 20, aty 6 gjimnaze, 5 shkolla Pedagogjike dhe kusuri shkolla Bujqësore, shkolla Teknike dhe shkolla Tregtare.

Nëpërmjet vendeve të lira dhe bursave kërkojmë të përgatisim një shtresë inteligjence, në shërbim të shoqërisë, që do të rekrutohen pavarësisht nga gjendja ekonomike e prindërve. Por çka neve nuk kemi, është universiteti dhe shkollat e larta. Për studime të tilla ne duhet t’i çojmë të rinjtë tonë jashtë shtetit. Gjeneracioni i vjetër studionte në përgjithësi, në universitetet e Kostandinopojës, ky i riu ka shkuar në Austri, Francë, Angli, Itali dhe Amerikë. Tani për tani, ne kemi rreth katërqind studentë të shpërndarë në universitet e huaja dhe një pjesë e madhe e tyre, mësojnë krejtësisht me shpenzimet e shtetit shqiptar.

-Dhe ato shkolla, të cilat mbahen nga shoqata të ndryshme religjioze?

-Ato janë sipërmarrës krejtësisht nga shteti këtë vit. Ne nuk lejojmë shkollime private, tash e tutje. Ne për një kohë tepër të gjatë, kemi mund të konstatojmë se si shpërdorohen për qëllime politike. Unë nuk dua ta mohojë, se Shkodra, në sajë të ndikimit katolik, ka luajt gjatë rolin e një oazi intelektual, në shkretinën e kulturës së Shqipërisë. Gjimnazi i Jezuitëve, me të cilin ishte lidhur një seminar priftërinjsh, kishte qysh një qindvjeçar më përpara, emër të madh në arenën ndërkombëtare. Gjimnazi Françeskan dhe shkolla e vajzave e grave për mësuese, po ashtu ka mbajtur një nivel të lartë. Tani i kemi marrë ne vetë këto institucione shkollore dhe shpresojmë t’i menaxhojmë ato në aspektin arsimor, po aq efektiv por në aspektin politik, në mënyrë më patriotike. Ne duam ta formojmë vetë rininë tonë. Kjo nuk mund të duket si kërkesë e madhe, apo? Kjo është e drejta e parë e një shteti.

Por këto tetë vjetët e reformave, nuk mbeten me kaq me çfarë është kryer për Ushtrinë dhe shkollimin e popullit. Nga gjithë rrugët e vendit, ju s´keni parë deri tashti më shumë se linjën Durrës – Tiranë. Ju vetë do të bindeni përse, karakteri i shkëlqyer i kësaj rruge, është tipike për rrugët kryesore në tërësi. Këto vitet e fundit, janë ndërtuar më shumë rrugë në Shqipëri, se sa në ndonjë shtet tjetër të Ballkanit. Serpentina midis Tiranës dhe Elbasanit, është një kryevepër e artit të inxhinierisë. 400 ura janë ngritur në pika të rëndësishme. Dhe ndërtimi i këtyre rrugëve, ka pasur si rezultat, që trafiku i autobusëve, ka marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm. Juve aktualisht mund të udhëtoni ku të doni, në vend me itinerarin e rregullt të autobusëve.

Vetëm para dhjetë vjetësh, një rrugëtim prej dhjetë miljesh, ishte një veprimtari e rrezikshme, e cila kërkonte planifikim të hollësishëm dhe kohë të gjatë. Unë nuk kam nevojë të theksoj, se çfarë kuptimi ka pas përmirësimi i sistemit rrugor, për ngritje e jetës dhe e tregtisë së brendshme. Ose çfarë neve shpresojmë, se në vendin tone, kjo do të ketë për një turizëm të huaj. Me aq sa mundësia ekonomike u ka lejuar, populli edhe ka blerë automobila private. Mbi 2.000 automobila janë regjistruar, deri më tash dhe prefekti i Tiranës, Mr. Jella, është president i Klubit Automobilistik Shqiptar, i cili në të vërtetë, ende ka një numër mjaft modest anëtarësh, por me gjykim njerëzor, duhet të ketë mundësi të mëdha zhvillimi.

Të shikojmë një tjetër anë, por shumë pjesë të rëndësishme të organizimit shoqëror, pikërisht sistemin e Drejtësisë, ju do të gjeni, që ajo ka një strukturë shumë moderne. Administrata civile e vendit, është ndarë në 10 prefektura dhe 31 nënprefektura. Në çdo nënprefekturë, ka një Gjykatë Civile, në çdo prefekture, një Gjykatë e Lartë e cila shërben si gjyq diktimi, si instanca e parë në ato raste, ku grindjet kapin një shumë mbi 2.500 franga flori. Gjyqi i Lartë ndodhet në Tiranë. Organizimi i Gjykatës së Lartë, është i vitit 1929. ‘E Drejta Civile’ e jona, e cila gjithashtu vjen nga 1929, është sipas asaj të Drejtësisë së modelit italian, francez dhe zviceran e Drejtësia jonë Penale, sipas ‘Codice Penale’ italian. Kodi Tregtar është nga një datë më vonë: 1932. Edhe ky është hartuar sipas shembullit italian. Ju ndoshta mund të supozoni, se çfarë vështirësisë kemi hasur për t’a futur në përdorim këtë sistem drejtësie hipermoderne.

Fiset malësore janë prej shumë gjene-racionesh të kaluara, të mësuar me dy lloj drejtësish: drejtësinë turke dhe atë të zakoneve të drejtësisë së brendshme të vendit, nga i cili të paktën, ky i fundit është nga më të jashtëzakonshmit për karakterin e forte, të ruajtjes dhe në shumë principe fondamentale dhe pikëpamje, ndryshon plotësisht prej drejtësisë moderne. Aq sa edhe drejtësia e vjetër turke, ka shumë të përbashkët me pamjen e kohës së re, të problemeve juridike. Ne kemi qenë, pra, të detyruar të përballojmë popullin, me diçka absolutisht të re, diçka që ka kthye përmbys trashëgimtari brezash, të kuptimit se çfarë është e drejtë dhe e padrejtë. Neve as që edhe dispononim ndonjë trup gjyqtarësh kompetentë dhe me përvojë gjatë, zbatimit të këtijë organizimit të ri të Drejtësisë. Në këtë pikëpamje, gjendemi akoma në një periudhë kalimtare, por neve bëjmë çka mundim, për të plotësuar nevojën tonë me juristë të shkolluar.

Unë nuk dua t´u lodh juve me hollësi, që kanë të bëjnë, me çfarë kemi dhe çfarë bëjmë, në sektorin ekonomik. Megjithatë se çfarë thonë në drejtim të kundërt, Shqipëria është një shtet agri-kultural ose të paktën, një shtet i ardhshëm agri-kulturor. Të huajt, që vijnë në vendin tone, e kanë bile të vështirë ta kuptojnë këtë gjë. Ata përqendrohen kryesisht në malet tona të bukura dhe të ashpra dhe thonë: “Pash zotin, me çfarë jeton populli”?! Kjo është e vërtetë, se ne kemi shumë male, ndoshta tepër si shumë. Rrafshinat përbëjnë vetëm një të katërtën e gjithë sipërfaqes së vendit. Por kjo, një e katërt, nuk është ç’frytëzuar në asnjë mënyrë, sikurse duhet të ishte.

Ekspertët e huaj kanë llogarit, se vendi do të ushqente nja katër herë më shumë popullsi, se kaq dhe prapë se prapë, kishte mundësi për të eksportuar. Përveç asaj, ato tre të katërtat male, nuk janë pa vlerë. Afërsisht 15 përqind, përbëhen nga shkëmbinj të zhveshur dhe maja malesh, por pjesa tjetër është shumë e përshtatshme, për blegtori dhe ekonomi pyjore. Ju duhet ta kuptoni, pra, se neve kemi një radhë mundësish. Lejohemi të jetojmë në paqe, nuk do të zgjasë shumë para, se ky një milion shqiptarë, që jeton në atdheun e vet, do të arrij të punojë, deri në një standard të denjë njerëzor.

Çfarë bën tani qeveria, për të kërkuar me i dhënë jetë ekonomisë? Ajo bën më shumë se sa ju besoni. Ajo propagandon nëpër bujqit për metodat e punëve, më të mira dhe moderne, për përdorimin e makinave për kursim pune, për zëvendësimin e parmendës, me mjetet për atë qëllim. Ajo ka themeluar shkolla bujqësore, me dhe nën udhëheqje ekspertësh, ku rinia fshatare, mëson se çfarë do të thotë efektivitet modern. Në të gjitha mënyrat, ajo kërkon të mësojë popullin, të përdorë frytin kryesor, misrin, për qëllime foragjere dhe jo për gatim buke, dhe shpërndanë për vjet, kuantitete të mëdha gruri Italian, për të ngrit prodhimin e grurit.

Kultura e jonë e ullirit, përmbledh 1.500.000 rrënjë. Qeveria ka ngrit një inspeksion shtetëror, i cili kujdeset që kultivimi i ullirit, të behët në një mënyrë racionale, ndihmon për të luftuar mizën e ullirit etj. Ulliri është artikulli i madh i eksportit tonë. Por deri tashti, kemi eksportuar vetëm ullinj, hiç fare vaj. Neve jemi të vetëdijshëm, se një pjesë e madhe e ullinjve tonë, rieksportohet në Shqipëri në formë të vajit. Tani kemi vënë në punë dy rafineri në Elbasan. Këtu ka mundësi të mëdha. Një vit të mirë prodhimi, mundemi të eksportojmë deri në 4.000.000 kg. ullinj, por vaji ka afërsisht, dhjetë dubël vlerë, se sa pesha përkatëse e lëndës së parë.

Duke i shpërndarë çdo prefekture ekspertë shtetëror të duhanit dhe t’ue përkrah, me mënyra të ndryshme, kemi kërkuar të intensifikojmë, po ashtu edhe produktin e duhanit të vendit. Në objekte shtetërore provash, eksperimentohet asortimente të ndryshme duhani, që janë më të përshtatshme për klimën tonë. Para katër vjetësh, ne eksportuam për rreth 260.000 franga flori. Këto vitet e fundit, eksporti në një farë grade, ka shkuar poshtë, por si mundej Shqipëria, të ishte i vetmi shtet në Evropë, që të mundet ta mbajë krizën botërore, jashtë kufijve? Personalisht unë jam i bindur se, duhani jonë do të mundet të zhvillohet në një artikull të madh eksporti. Juve vetë keni mund të bindeni se, ai është i një kualiteti të mirë.

Në malet dhe kodrat tona, kullosin dy milion e gjysmë dele dhe një milion e gjysmë dhi, kështu pra nuk duhet t´u befasoj ju, që gati gjysma e eksportit tonë, përbëhet nga produktet e këtij shtimi bagëtish. Para së gjithash është djathi. Veçanërisht në SH.B.A-ës, llojet e djathit shqiptar vlerësohen shumë, por edhe Italia blen mjaft. Me anë të metodave më racionale të therjes dhe kujdes më mirë, për kafshët duhet që këto degë të ekonomisë të mundin të marrin zhvillim, më të rëndësishëm. Nëpërmjet ngritjes së modeleve bujqësore dhe shkollimit të veterinerëve të aftë, punon qeveria për një përmirësim. Po në të njëjtën mënyrë ka synuar për të intensifikuar peshkimin shqiptar, që ka një përhapje të madhe dhe prejardhje prej kohës së venedikasve. 200.000 pemë janë shpërndarë gratis, që të njohë popullin për mundësitë, të cilët deri tani, kishin një mendim shumë të pa qartë për pemët.

Me anë të huave dhe këshillave, shtetit do edhe më shumë të ndihmoj industrinë e vendit, e cila tani punëson afërsisht mijëra punëtor dhe kryesisht, përpunon produktet e veta të vendit. Ne kemi disa mullinj të dalluar, një numër fabrikash alkooli, rafineri vaji, fabrikë sapuni, fabrikë cigaresh. Ne kemi gjithashtu fabrika çement-kartoni-dhe fabrikë celuloze dhe një central të mirë elektrik. Dhe para së gjithash, ne kemi një industri shtëpiake të mrekullueshme. Bujqit shqiptar, kanë qenë të detyruar gjithë kohët, që vetë t´i përpunojnë pjesën kryesore të gjërave, që i’u kanë nevojitur. Nga kjo ka rrjedh, që zejtaria ka arrit një zhvillim të madh, dhe jo pak zejtaria e tekstilit, paraqet një standard të lartë dallues.

Bëni një vizitë në ndonjë nga pazaret tona javore! Ju do të befasoheni, nga bukuria dhe ngjyrat e shumta, në ato stofrat dhe rrobat e endura në shtëpia, që ofrohen me çmime të arsyeshme. Ose shko brenda në ndonjë nga argjendaritë e shumta të Tiranës dhe studioje, se me çfarë mjeshtërie të shkëlqyer ata zejtarë i përpunojnë filigramët. Ka shumë mjeshtri punë dore, në vendet e Ballkanit. Shqipëria nuk është pas vendeve të saj fqinj. Vështro një nga këto pardesytë e qëndisura më flori, që vajzat shqiptare i dhurojnë burrave të ardhshëm dhe të cilat i qëndisin me modelet e gajtanët, nga më të mrekullueshme.

Këto janë sende mjeshtresh, të cilat tërheqin blerës të largët, të vendosin të bëjnë udhëtimet e tyre në Shqipëri. Neve zakonisht i përdorim si dekorime në mure dhe ato zgjojnë gjithnjë të njëjtin admirim. Edhe kjo industri vendi, inkurajohet nga qeveria, e cila e sheh me entuziazëm, se në një farë shkalle të industrializohet shumë për t´i dhënë vendit mundësi ngritje ekonomike.

-Po, shteti shqiptar ka bërë mjaft për një periudhë të shkurtër prej tetë vjetësh, mbaron Eqrem Vlora. Unë do të mundesha me u tregu juve edhe më shumë, mbi spitale të reja, mbi veprimtarinë e ndërtimit të qyteteve, mbi gjithnjë e më shumë gjallërinë e shtypit, por kjo është e mjaftueshme. Ju mundeni me sytë e juaj, të verifikoni pohimet e mija. Unë nuk dua t´i ekzagjeroj veprat tona, por unë dua të them, se neve kemi hapur një dritare në bashkëkohë. Deri para tetë vjetësh, kjo dritare ishte absolutisht e mbyllur. Shqipëria jetonte në prapambetjen specifike, të izoluar mesjetar. Tashti fryjnë erëra freskie, mbi vendin tonë.

Ai i bën një thithje të thellë të cigares dhe me mjeshtri, nxjerr një radhë tymi në formë rrathësh me madhësi të ndryshme, i cili besonte, se ato së bashku do të formonin fjalën: PROGRES.

-Unë jam natyrisht i impresionuar, i them. Ju keni folur për çarmatimin dhe ngritjen e një ushtrie, të gatshme për betejë, ngritje rrugësh madhështore, mbi shkolla, që dalin si kërpudha nga toka, mbi rregullimin e drejtësisë së re, metodat e reja të përdorimit të tokave, ndërtimeve modele të reja, një rritje të elitës intelektuale. Unë jam natyrisht i impresionuar. Por më thuaj një gjë. Më thuaj: nga i ka marrë Shqipëria këto pare për gjithë këto reforma?

Eqrem Vlora nuk duket i kënaqur nga kjo pyetje. Ai qëndron i heshtur një copë herë dhe shikon i menduar, mbi publikun e kafes së bahçes. Pastaj thotë:

-Juve e dini situatën e mbarimit të Luftës Botërore, kur do të krijohej rregullimi, për situatën e kufijve të ngatërruar të Ballkanit. Shtete të rij do të shikonin dritën, të vjetrit ranë. Ballkani do të merrte një hartë të re. Shtetet e Ballkanit në vështirësitë e fillimit, mbroheshin nga nëna dashamirëse, Shqipërisë i ra vetëm lotaria e njerkës. Prej nga do të merrnim neve mjete financiare për këto punët e ndërtimeve të mëdha? Superfuqitë nuk kishin ndonjë dëshirë të madhe, të investonin pare në një vend të varfër malor, që shikohej se banohej nga kusar rrugësh, të pa kulturueshëm. Të gjithë shtetet u thane: jo sondazheve tonë për hua. Të gjithë përveç një: Italia. Neve duhet të merrnim pare, atje ku mundeshim me marrë.

-Dhe nuk e kanë fut në një varësi të rrezikshme Shqipërinë, këto hua italiane?

Ai shikon nga unë:

-Jo! Thotë ai me zë të lartë dhe të fortë.

Dhe ndërsa kjo rrenë e madhe patriotike, valëvitet mbi tavolinat e kopshtit dhe ndoshta ndonjë i çuditur, do të kthej kokën nga ana jonë, ngrihet ai përshëndet: ‘udhë e mbarë’ dhe zhduket. Unë e shoh atë të nxitoj rrugës, për brinjë ndërtesës së Parlamentit.

Ndërtesa e Parlamentit, ndodhet menjëherë këtu pranë: një ndërtesë e vogël e lyer me bojë të verdhë, njëkatëshe. Përmbi hyrjen ndriçon fjala “Parlamenti” me shkronja të mëdha. Njoftimi duket. Ndryshe, të huajt kollaj mund ta merrnin Parlamentin për një pavijon qitjesh.

Unë di që një amerikan për vizitë në Tiranë, i cili në pamjen e parë të ndërtesës së Parlamentit, i ra një lloj spazme goditje qeshjeje, aq sa ai detyrohet të shkojë në hotel dhe të shtrihet në krevat. Por pse tash është e domosdoshme të qeshësh me përbuzje nga proporcionet modeste? Nuk është fare në rregull, që Parlamenti i një shteti diktature, ka një pamje të jashtme të thjeshtë? Shqipëria nuk është e vetme në këtë situatë. Shiko parlamentet, tek zotërinjtë e moçëm të vendit! Ankaraja është një qytet shumë modern, me pallate funksionale, parqe tepër të bukur dhe monumente madhështore. Por edhe parlamentit turk, do t’i duhej një mbishkrim përmbi portën.

Ai duket si hoteli shtetëror i yni, në një nga qytetet e një krahine të vogël. Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm