Nga Gjergj Titani
Në pjesën e parë të kësaj interviste, të publikuar në numrin e kaluar, Asambleja, vajza e vetme e Pandi Kristos, tregoi për rininë e hershme të mbushur plot përbuzje e fyerje nga shokët e shoqet e saj dhe për neverinë e drejtuesve të Komitetit të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë të kryeqytetit. Takimet me babanë e saj në burg dhe për dëbimin e familjes së saj nga Tirana, për në Lushnjë. Jetën e zymtë të familjes së ish-mikut të ngushtë të Enver Hoxhës dhe punët e rënda që bënin gjatë internimit, në Fermën Bujqësore të Çermës. Sjelljet e përbindshme të të plotfuqishmit të Sigurimit të Shtetit dhe të tjerëve. Si i dërgoi letër Enver e Nexhmije Hoxhës, për të vazhduar studimet e larta dhe reagimet pas kësaj letre, që shtuan edhe më shumë fatkeqësitë e familjes. Ja pjesa e parë e tregimit të saj tronditës.
Vijon nga numri i kaluar

Znj. Asamble, babai juaj, Pandi Kristo, deri në çfarë moshe punoi në Lushnjë dhe me se merrej pas orarit të punës?
Babai në Lushnjë, punoi deri në moshën 69-vjeçare, sepse nuk e plotësonte moshën e vjetërsisë së punës, për të marrë atë pension që i takonte. Paradoksi më i madh, ishte se atij, nuk i njihnin kohën e luftës partizane dhe aktivitetin antifashist! Këshilli i Ministrave të RPSH-së, i dërgoi me korrektësi, të gjitha materialet e duhura të kohës së punës, që ai kishte punuar atje, kurse Komiteti Qendror i PPSH-së, padrejtësisht, nuk i dërgonte dokumentet e aktivitetit të tij në Grupin Komunist të Korçës e në Partisë Komuniste të Shqipërisë, kështu që, nuk i plotësohej koha e nevojshme për të dalë në pension, sepse burokratët e mërzitshëm të këtij dikasteri të veçantë, siç e theksova më lart, nuk i dërgonin dokumentet zyrtare, për të vërtetuar kohën e pensionit.

Pas orarit të punës, babai zakonisht dëgjonte Radio Tiranën dhe lajmet që transmetonte ajo disa herë në ditë. Lexonte rregullisht gazetën “Zëri i Popullit” dhe librat e reja që botoheshin në atë kohë dhe duhet thënë se botoheshin libra shumë cilësorë, nga klasikët e letërsisë botërore si: Leon Tolstoi, Viktor Hygo, Balzak, Stendal, Mihail Shollohov dhe shkrimtarët tanë shqiptarë, si Lasgushi, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka, Migjeni, Çajupi, Naim Frashëri, Dhimitër Shuteriqi, Fatmir Gjata, Shefqet Musarai, Llazar Siliqi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare etj. Shpesh ne, komentonim së bashku përmbajtjen e librave të rinj si, dhe shfaqnim ndonjë mendim tonin, për këto botime. Por, dua të theksoj se vitet e fundit, babanë nuk e lejonte shëndeti, sepse ai kishte kaluar dy infarkte të miokardit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Po mjekët e Lushnjës dhe ata të Tiranës si janë sjell me familjen tuaj, kryesisht me mamanë dhe babanë, që ishin të moshuar dhe kishin jo pak probleme me shëndetin?
Mjekët e Lushnjës, janë treguar shumë të kujdesshëm profesionalisht dhe shumë humanë me babanë, sepse, pas daljes nga burgu, ai ka pësuar dy herë infarkt të miokardit, një herë aty nga viti 1970 dhe për herë të dytë, në vitin 1976. Kardiologu Vasil Kuli, (i kunati i Gjovalin Lukës), i cili ishte i internuar në Zvërnec e, që ka përfunduar studimet universitare në Bullgari dhe ishte martuar me një grua bullgare, është treguar shumë i kujdesshëm dhe i palodhur, në raport me sëmundjet e babait e, më vonë edhe të nënës. Vasil Lushnjari dhe Frano Shkjezi, gjithashtu janë treguar të vëmendshëm dhe nuk kanë bërë dallimin, nëse babai ishte njëri nga të persekutuarit më të “rrezikshëm” të vendit.

Ata e kanë trajtuar shumë mirë profesionalisht dhe me kompetencë profesionale të admirueshme babanë, jo vetëm kur ai ishte i sëmurë, por edhe gjatë konvaleshencës mjekësore, midis dy goditjeve kardiake, apo acarimit të sëmundjes. Vasil Kuli, për shembull, nuk përtonte kurrë të vinte shpesh me biçikletë në shtëpi, ditën apo natën, kur ishte e domosdoshme, ndaj, edhe sot kur babai dhe mamaja nuk jetojnë më, unë këtyre mjekëve, u jam shumë mirënjohëse, për gjithçka që ata kanë bërë, për t’jua lehtësuar sado pak gjendjen e rënduar shëndetësore të tyre.

Po mamaja jote, Dhora, si ka reaguar gjatë kohës që iu internuan familjarisht në fermën e Çermës? A i njihte ajo krerët e lartë të komunizmit?
Para se të flas për qëndrimin e mamasë, kur u dënua babai dhe filluan hallet e mëdha, do të flisja disa fjalë, se kush ishte ajo si njeri, si grua e, si nënë. Mamaja ime, ishte një grua e ndrojtur, e thjeshtë, por jo frikacake, ajo ishte e ekuilibruar dhe kurrë nuk dinte të bërtiste. Në vitin 1940, kur Pandi punonte së bashku me një nga anëtarët e vjetër të Grupit Komunist të Korçës, Peço Nedellin, i cili ishte vëllai i mamasë sime, ata u njohën dhe u dashuruan.

Ajo ishte rrobaqepëse, një vajzë e bukur dhe shumë simpatike dhe po atë vit, të dy me Pandin, u fejuan. Mamaja ime, Dhora, mori pjesë aktive në veprimtaritë e ndryshme antifashiste dhe ka shoqëruar të gjithë shokët ilegalë të rëndësishëm, që vinin në shtëpinë e tyre, në këtë bazë të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe prej andej, ajo i drejtonte për t´u strehuar në baza të tjera, ku duhej të strehoheshin më tej.

Ajo nuk ishte anëtare partie, por të gjithë udhëheqësit e LANÇ-it, duke filluar nga Enver Hoxha, Nako Spiru, Ramadan Çitaku, Vukmanoviç Tempo me të shoqen Milica, Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Ymer Dishnica, Naxhie Dume, Nexhmije Hoxha etj., janë strehuar në shtëpinë e saj e, të vëllait të saj. Kjo shtëpi ka qenë një nga bazat kryesore të LANÇ-it, në qarkun e Korçës. Mbas çlirimit, mamaja ime nuk u aktivizua asnjëherë në punë të rëndësishme shoqërore, si shumë gra të anëtarëve të Byrosë Politike dhe pas arrestimit të Pandit, hyri në punë për herë të parë, në profesionin e saj të mëparshëm, si rrobaqepëse prestare. Sigurisht, ajo e pati shumë të vështirë të hynte në lidhje me njerëzit dhe të komunikonte lirshëm me ta.

Ajo vazhdimisht jetonte nën ankthin torturues të dënimit të bashkëshortit të saj, të cilin e donte dhe e respektonte tej mase. Ajo ishte shumë e rregullt, megjithëse shumë dashakeqës shpreheshin me fjalë ziliqare: “Si, s´e uli një herë kokën kjo gruaja e Pandi Kristos”?! Mamaja ime, punonte në NRG (Ndërmarrjen e Rrobeve të Gatshme). Në këto kushte të vështira, një grua e re, e bukur, nuk mund të mendohej të rrinte e vetme e të rriste fëmijën e saj.

Ndaj, mamasë i qëndruan shumë pranë motra dhe vëllai i Pandit, Vangjelia dhe Koçoja, të cilët sakrifikuan rininë e tyre e, nuk u martuan kur e kishin kohën, derisa u rrita unë. Vëllai i babait, Koço Kristo, fillimisht punonte në zyrën e pasaportave të Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Tiranës, e më pas në zyrën e punës. Në mbledhjet e kolektivit, e kritikonin shpesh dhe e demaskonin pse i vinte vazhdimisht Pandit, për ta takuar në burg.

Një herë edhe e paralajmëruan, duke e kërcënuar që të mos shkonte në burg me motrën, gruan e Pandit dhe mua, fëmijën e vogël, që mezi prisja për t’u takuar me babanë. Xhaxhai, nuk pranoi ta mohonte vëllanë e tij dhe si rezultat e përjashtuan nga partia dhe e transferuan në NTLFZ (Ndërmarrja Tregtare Lokale e Fruta-Zarzavateve), ku në atë kohë punonte si drejtor Sabri Godo, i cili e ka trajtuar shumë mirë xhaxhanë. Më pas, xhaxhai punoi si specialist në furrat e bukës, ku përgjegjës ishte komunisti i vjetër, Ilo Budina, një burrë i mrekullueshëm dhe shok i vjetër i babait, qysh nga koha e Grupit Komunist të Korçës dhe një nga komunistët e parë të themelimit të PKSH-së.

Xha Ilua, siç e thërriste Pandi, babai i tre djemve veteranë të LANÇ-it: Janaq, Sotir dhe Dhimosten Budina (Janaqi me Sotirin, ishin dy kolonelë të nderuar të ushtrisë, e dy inxhinierë të zotë). Më vonë, më kujtohet, Koçoja punonte në Fabrikën e Bukës, me njërin djalë të Koçi Xoxes, Çlirim Xoxen, por kjo punë e lehtë, siç mund të quhej në atë kohë, nuk vazhdoi gjatë, sepse ata të dy i caktuan të punonin në ngarkim-shkarkim në Ndërmarrjen “21 Dhjetori”. Koçoja punoi në atë ndërmarrje, derisa doli në pension.

Ju kujtohen vizitat që i bënit babait kur ishte në burgun e Burrelit?
Mbaj mend se kur isha e vogël e shkonim në burgun e Burrelit për të takuar babanë, një herë unë, e një herë mamaja, vazhdimisht na shoqëronte xhaxhi Koçua. Jo rrallë, e kalonim natën jashtë në natyrë dhe kur binte shi e dëborë, ndiznim zjarr për t’u ngrohur poshtë harkut të urave. Ne duhej të prisnim natën, sepse ishte e domosdoshme, të paraqiteshim në burg herët në mëngjes, në mënyrë që të regjistroheshim për takim. Vetëm kur u hap “Rruga e Dritës”, u ndërtua një hotel për të qenë në qytetin e Burrelit. Në atë kohë, në burg nuk kishte dyqan për furnizimin e të burgosurve, madje, nuk kishte as mundësinë më të vogël për të siguruar qymyr druri për gatimin e ushqimit personal, që gatuanin vetë të burgosurit.

Kështu që, ne duhej të merrnim me vete një ngarkesë të madhe e të rëndë, ku përfshiheshin qymyri, qepët e preshtë, patatet e fasulet, mishi i thatë pastërma, lakrat e, sende të tjera jetike, që i duheshin babait, për të mbajtur në burg shpirtin gjallë. Duhet theksuar se ne, si njerëz me cen politik që ishim, nuk na ndihmonte askush gjatë rrugës, për bartjen e këtyre ngarkesave kaq të rënda. Atëherë, nuk kishte taksi si sot. Ndaj Koçua, pasi zbrisnim nga automjeti që na shpinte në Burrel, i hidhte në kurriz thasët dhe i shpinim te vendi i caktuar, para derës së burgut. Kështu, këto udhëtime të shpeshta për të vizituar babanë në burg, u bënë ritual i rëndësishëm i jetës sime, ndonëse unë isha një vajzë e vogël dhe ende e parritur. Kjo është arsyeja që unë, e doja aq shumë babanë tim dhe xhaxhi Koçon.

Kjo është arsyeja e ligjshme që unë i urreja dhe i urrej ende aq shumë shkaktarët e kësaj tragjedie, me përmasa të përbindshme mbarëkombëtare. Aq e vërtetë është kjo që po them unë, sa edhe sot, nuk mund t’i harroj kurrë ato sakrifica që bënim ne familjarisht edhe për gjënë më të natyrshme e, më të domosdoshme, siç është takimi me prindin e burgosur. Shpesh here, mendohem t’i heq nga mendja dhe vetëdija ime, këto kujtime të zymta e shumë të hidhura, por kam vënë re, se është tepër e vështirë, gati-gati e pamundur, për t’i larguar ato ndjesi përfundimisht nga shtresat e vetëdijes. Xhaxhai, kurrë nuk na u nda gjatë gjithë jetës së tij, duke luajtur rolin e xhaxhait të kujdesshëm e, të prindit korrekt, e të vetëdijshëm, se pa mundin dhe sakrificat e tij, ne do ta kishim shumë të vështirë, e do të kishim pësuar fatkeqësi të tjera edhe më të rënda.

Gjatë gjithë kohës së internimit, mamaja ime, ka qenë vazhdimisht e sëmurë, sidomos kohët e fundit. Ne nuk do ta harrojmë kurrë ndihmën e jashtëzakonshme, që na kanë dhënë mjekët e Lushnjës: Zografa Gjika, Lefteri Dori, doktor Çabej e doktor Deliallisi. Ata, me rekomandimin e tyre, bënë që ne të njiheshim edhe me neurologun e vetëm që kishte qyteti, Abaz Quka quhej. Ai është treguar tepër human me mamanë dhe i papërtuar. Sa herë që kishim nevojë, ai vinte në shtëpi, duke i bërë mamasë, veç të tjerash, edhe psikoterapinë e nevojshme. Më e rëndësishmja, është se ai, shpesh herë me autoambulancën e spitalit, e dërgonte mamanë për vizitë të specializuar apo për kurim në spitalin qendror në kryeqytet.

Në Tiranë, ne shkonim vazhdimisht në shtëpinë e doktor Ndroqit, i cili, e vizitonte me kujdes dhe e kuronte me përparësi mamanë time. Në vitin 1978, mamasë iu shfaq reumatoid akut i rëndë, të cilin e mjekoi me kujdes e përkushtim të veçantë, doktor Koço Poro. Ai, sa herë do të vinim në Tiranë, te shtëpia e xhaxhait, do të vinte doemos të ndiqte ecurinë e kurës. Kjo nuk ishte ndihmë e pakët për ne, që na shihnin me sy të keq, jo vetëm organet e specializuara për këtë qëllim, (Sigurimi i Shtetit), por fatkeqësisht edhe shumë nga komshinjtë, apo bashkëvuajtësit tanë të zellshëm.

Po nga Ferma Bujqësore e Çermës, ku ju internuan së fundi aty rreth vitit 1983, çfarë kujtoni?
Në Fermën Bujqësore të Çermës, na transportuan me dy kamionë të Degës së Punëve të Brendshme, të shoqëruar me policë të armatosur, sikur ishim banditë. Nuk mund ta mendonim kurrë se, në ato kushte makabre, mesjetare, do të qëndronim edhe shumë vjet të tjera. Më kujtohet mirë se, në momentin kur arritëm në pallatin ku duhej të banonim, banorët e pallatit, e konkretisht komshiu i katit të tretë, e patën të vështirë të na pranonin për të pushuar, qoftë edhe për disa çaste, sepse mamaja, ishte e sëmurë. Më vonë, doemos, krijuam marrëdhënie shumë të mira, por takimi fillestar me ata, ishte tepër i vështirë. Mua më caktuan të punoja në brigadën e katërt të arave, e cila ishte brigada më e largët dhe që paguhej më keq. Në këtë brigade, pothuajse të gjithë anëtarët e saj ishin të internuar, kështu që ne na caktonin në punët më të vështira.

Kjo brigade, kishte një të mirë tjetër, se ne ishim të gjithë njëlloj për nga statusi i internimit dhe i trajtimit. Në këtë brigadë pune, unë u njoha me fëmijët e Gani Kodrës, përgjegjës i grupit të shoqërimit të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu. Vetë Ganiu, aktualisht, ndodhej i burgosur në Burrel së bashku me djemtë e Mehmet Shehut, Skënderin dhe Bashkimin, Mihallaq Ziçishtin, ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, Nesti Nasen, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, Ali Çenon, nëse nuk gabohem, shoqërues i parë, apo truprojtësi i Mehmet Shehut, etj.

Unë u miqësova shumë me vajzën e Gani Kodrës, Verën dhe djemtë Gencin dhe Artanin, si dhe me mamanë e tyre, Ikbalen, e cila, në kushtet e internimit, ishte një grua me të vërtetë e jashtëzakonshme. Ajo, zakonisht merrte qumështin për Pandin dhe ma dërgonte me kalamajtë e Verës. Ikbalja, ishte një grua shumë interesante, guximtare, praktike dhe shumë humane. Ajo ndihmonte me ç’t’i vinte përdoresh, sidomos, ata të internuar që jetonin të vetëm, pa njeri e pa asnjë ndihmë. Kjo miqësi me këtë familje fisnike, vazhdon edhe sot e kësaj dite, sidomos me Verën e familjen e saj.

Çfarë ju kujtohet ndonjë ngjarje specifike, gjatë internimit në Çermë?
Një nga rastet më të çuditshme, është ai i Jani Qehajajt nga minoriteti, ish i dënuar politik, fillimisht me vdekje, mandej ky dënim i kthehet në 101 vjet e, kur Kodi i ri Penal u ndryshua, ja kthyen me 25 vjet, sepse, nuk kishte dënim më të madh se aq. Së fundi, si rezultat i disa amnistive radhazi, mbërriti në Çermë të Lushnjës, e vdiq në spital Jani Qehajaj, në moshë të re, i cili kishte qenë student i shkëlqyer i Teknikumit Financiar të Tiranës dhe shumë pak njerëz e dine, se ai ishte një bashkëpunëtor i veçantë i kundërspiunazhit shqiptar. Ai hynte dhe dilte lirshëm në territorin helen. Në Greqi, Jani Qehajaj, e ndjente veten si në shtëpinë e tij.

Pa u zgjatur për detyrat që kryente, para se ai të arrestohej në vitet 1950-1951, njerëzit thoshin se; Jani ishte njeri i Sigurimit të Shtetit. Madje, kur ai u arrestua, jo vetëm u habitën, por thanë se duke zbatuar detyrat e dhëna, duhet të ketë luajtur “dopjo rol”. Janin e dënuan me vdekje. E mbajtën të lidhur me zinxhirë, duarsh e këmbësh, derisa të ekzekutohej vendimi i dhënë, i cili nuk u zbatua kurrë, por u shndërrua me 101 vjet, që donte të thoshte, dënim me burgim të përjetshëm. Por s’qe e thënë që Jani të mbetej në burg për jetë, sepse dënimi nga 101 vjet, iu konvertua me 25 vjet, kur doli Kodi i ri Penal.

Jani në burg, punonte në kampet e punës, në miniera dhe ishte specialist i përsosur për organizimin, ndarjen dhe llogaritjet e ndërlikuara të punimeve nëpër kantiere. Në Zyrën Teknike të kantiereve minerare, Jani, e ndjente veten në qendrën e tij të gravitetit. Ai i kuptonte mirë dhe si askush tjetër labirintet e ndërlikuara të korrupsionit, burokratik administrativ dhe mashtrimet e llogarive fiktive, që Ministria e Punëve të Brendshme, gënjente sistematikisht shtetin.

Si shkoi jeta e Jani Qehajajt pas daljes nga burgu?
Të gjitha këto peripeci të Janit, mua m’i ka treguar burri im, Robert Vullkani. Kurse për peripecitë e Janit, pas daljes nga burgu, do t’ua them unë. Jani Qehajajn, pasi një ditë të bukur doli nga burgu, aty rreth vitit 1988, e sollën së bashku me prindërit, në fermën e Çermës. Prindërit e Janit, vdiqën që të dy shumë shpejt dhe Jani mbeti i vetëm dhe pa ndihmë. Atë e ndihmonte vetëm Bali, e shoqja e Gani Kodrës, me të bijën, Verën, e cila ishte mjeke stomatologe dhe luante rolin e infermieres vullnetare, duke i’u dhënë ndihmën e shpejtë të internuarve, që kishin aq shumë nevojë. Janin, gjithashtu, e ndihmonin vëllazërisht kosovarët e internuar, të cilët regjimi i Enver Hoxhës, i trajtonte më keq se Hitleri çifutët. Jo shumë kohë pasi i vdiqën prindërit, Jani vdiq edhe vetë, ndonëse ishte relativisht i ri.

Në këtë kohë, se nga u shfaq e u bë i gjallë, një i vëlla i tij, i cili nuk ishte dukur kurrë për ta takuar dhe ndihmuar as në hetuesi e në burg, e as gjatë kohës së internimit, kur Jani jetonte në Çermë, me prindërit. A e dini përse kishte ardhur ky palo vëlla i Janit në Çermë? Për të marrë ato pak lekë, që Jani kishte në librezën e kursimit! Dua t’ju pyes të dashur miq dhe shokë të Jani Qehajajt e ju të dashur lexues: A e dini ju, se ka edhe palo vëllezër të tillë?! Mos u çudisni, ka! Jeta jonë e vështirë, nëpër kampet e internimit dhe burgjet e diktaturës së egër enveriste, na i mësoi edhe këto skuta të pista të jetës, që ndërtoi diktatura.

Po ndonjë rast tipik, nga humori apo mençuria e jetës së përditshme në fermë, a mund të na tregoni?
Jeta njerëzore edhe në Çermë, ku banonin të internuarit politikë por edhe të internuar ordinerë, për arsye nga më të ndryshmet, vazhdonte rrjedhën e saj. Njerëzit edhe ashtu të drobitur siç ishin dashuroheshin, martoheshin, lindnin fëmijë, sëmureshin, vdisnin. Një episod tjetër, nga jeta jonë e përditshme në fermën e Çermës, ishte edhe mençuria e nënës së Odise Collos, dhëndrit të Dhimitër Kotefës, nga Sopiku. Kjo plakë e mençur, gjashtë muaj jetonte në Çermë, gjashtë muaj në fshat.

Unë, thosha plaka, me shaka midis nesh, sigurisht, gjashtë muaj rri me ju, pra jam me Odisenë, gjashtë muaj jam në fshat, pra me kooperativën, duke nënkuptuar shtetin. Ajo kur shkonte në fshat çelësat e shtëpisë, ia linte hajdutit më të rafinuar të fshatit dhe thoshte: “… moj gra, kur ia le kyçet hajdutit të fermës, ai nuk ka guxim të të vjedhë, sepse nuk do të turpërohet faqe fshatit. Se ashtu del se paska hajdutë më të zotë se ai. Ja kështu kam bërë unë kaq vjet dhe nuk më ka humbur gjë, kurrë…”! /Memorie.al/
Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb