Policia e Beratit ka blinduar gjatë natës rrugët e qytetit. Aksioni policor, ku janë përfshirë të gjitha strukturat e DVP-së Berat ka nisur mbrëmë në pikat kyçe të qytetit dhe në hyrje-daljet e tij, ndërkohë që postblloqet policore janë ngritur paralelisht me Beratin edhe në të katër bashkitë e tjera të qarkut. Në aksionin policor janë angazhuar forca të shumta policore, pjesë e të cilëve janë bërë të gjithë sektorët e policisë së Beratit, duke filluar që nga inspektorët e krimeve, forcat Shqiponja e deri tek ata të qarkullimit rrugor.

Burime policore bëjnë me dije se ky aksion ka si qëllim kapjen e personave në kërkim, uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë rrugore. Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetet, nëpërmjet identitetit të tyre, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat apo në qytete të tjera. Gjatë kontrolleve janë verifikuar edhe dokumentacionet e mjeteve si dhe lejet e drejtimit. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se vetëm në 3 orët e para të këtij aksioni janë kontrolluar rreth 120 automjete dhe janë vendosur edhe masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion dhe me shkelje.

Po kështu gjatë këtij aksioni, policia ka ushtruar kontroll fizik për armë, drogë e sende të tjera të kundërligjshme mbi 155 shtetas që kanë kaluar me automjete në postblloqet e ngritura. Të njëjtat burime konfirmojnë se postblloqet policore do të vijojnë të qëndrojnë disa ditë me radhë në rrugët e qarkut të Beratit, ndërkohë që policia e Beratit do të japë së shpejti edhe rezultatet e aksionit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb