Dritan Dajti është një tjetër personazh i njohur i krimit i cili provoi me sukses në vitin 2003, të arratisej nga dhoma e izolimit në Gjykatën e Tiranës.
Pikërisht në ditëlindjen e tij të 32-të, duke i bërë një dhuratë të çmuar vetes, lirinë.
Emisioni “Në Shënjestër”, solli këtë të martë, detaje nga arratisja e bujshme e Dritan Dajtit, nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, ku ai ishte në proces gjykimi për disa vepra penale, midis tyre edhe një vrasje.
Pikërisht nga aty ku do të arratisej më 17 Nëntor 2003. Sipas vendimit të siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, ora shënonte 10.15 e mëngjesit, kur ai po shoqërohej nga burgu ‘313’ në drejtim të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, nga një togë me tre shoqërues.
Të cilët kishin për detyrë të ruanin sigurinë e tij.
Por ndërsa deri këtu gjithçka dukej se po i nënshtrohej një procedure të rregullt shoqërimi, sipas hetimeve të kryera më pas, Dritan Dajti me të mbërritur në gjykatë, kërkon që fillimisht të shkojë në tualet të kryejë nevojat personale.
Gjë që i është lejuar nga efektivët e policisë që e shoqëronin.
Të cilët ishin Halim Sula, Qemal Prençi dhe Besnik Muça.
Por ndërsa i pandehuri përfundon nevojat personale dhe drejtohet për në sallën e gjyqit, ai shfrytëzon mjaft mirë momentin e heqjes së prangave.
Moment që i gjen të papërgatitur shoqëruesit e tij. Pasi ndërsa liron duart nga prangat, ai nxjerr nga brezi një pistoletë të cilën ia vë në kokë njërit prej policëve.
Dosja Hetimore
Pasi hyri në gjykatë, Dritan Dajti kërkoi të kryejë nevojat personale. Pasi del nga tualeti, ai shoqërohet normalisht për në sallën ku do të zhvillohej gjykimi. Por para se të fillonte seanca gjyqësore, atij i ndërrohen prangat dhe hapet dera për të hyrë dëgjuesit.
Pikerisht në këtë moment i pandehuri arrin të lirojë duart nga prangat, nxjerr një pistoletë dhe pasi ua drejton policëve duke i kërcënuar se do t’u hidhte trutë në erë, del nga salla dhe largohet.
Gjithçka duket se është një skenar i mirëplanifikuar. Më të dalë nga Gjykata nën kërcënimin e armës dhe plumbave që lëshon në ajër, duke krijuar një klimë terrori, Dritan Dajti ngjitet në një motoçikletë që e pret jashtë ambienteve të gjykatës.
Dhe nga aty largohet, për t’u kthyer në skenë në një tjetër ngjarje të kobshme. Ndër më të rëndat që mban firmën e tij, atë të humbjes së jetës së katër punonjësve të policisë, ku ai është protagonist absolut i kësaj skene krimi.
Dosja Hetimore
Pasi del nga gjykata duke shtënë në ajër me pistoletë, në rrugë Dritan Dajtin e pret një motoçikletë dhe pasi hipën në të largohet pa u kapur nga policia.
Të pyetur nga grupi hetues, tre efektivët që e shoqëronin ditën e arratisjes, thanë se nuk kishin dijeni se si Dritan Dajti kishte mundur të siguronte armën e zjarrit, me të cilën më pas i kërcënoi dhe qëlloi deri sa doli nga ambientet e gjykatës.
Armë e cila në fakt nuk u mësua kurrë se si ai mund ta siguronte, ose se kush ishin personat që e ndihmuan nga jashtë për ta pasur.
Dhe se si kjo armë hyri në ambientet e tualetit të gjykatës, aty ku Dritan Dajti falë dinakërisë së tij mundi ta marrë.
Po kështu nuk u mësua se kush ishte personi që e priti jashtë gjykatës gjatë momentit të arratisjes. Një koordinim gati perfekt, midis Dritan Dajtit dhe bashkëpunëtorëve të tij të jashtëm.
Dritan Dajti që ishte arrestuar fillimisht për vrasjen në vitin 1999 të biznesmenit Agim Beqo, gjatë një konflikti për ndërtimin e një pallati në Tiranë.
Vepër për të cilën u dënua filimisht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë me 20 vite heqje lirie.
Por që arratia e tij spektakolare në vitin 2003, do të zgjaste vetëm 6 vite.
Pasi më 7 gusht 2009, ai qëlloi për vdekje gjatë një operacioni policor për kapjen e tij efektivët e policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari.
Të cilët mbetën të vrarë gjatë operacionit kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit në Durrës për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim. Ndërkohë që Dritan Dajti pretendon edhe sot se ka reaguar pasi mendonte se kanë dashur që ta ekzekutonin.
