Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar ashpër në rrjetet sociale për gjendjen e akseve rrugore në juglindje të vendit, duke theksuar se bllokimet nuk lidhen me kushtet atmosferike, por me korrupsionin dhe keqmenaxhimin.

Duke sjellë në vëmendje bllokimin e akseve, Librazhd–Prrenjas, Qukës–Qafë Plloçë dhe Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, Salianji i cilëson ato si dëshmi të dështimit të qeverisë dhe shpërdorimit të fondeve publike.

Sipas tij, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara ndër vite, projektet mbeten problematike dhe pa përgjegjësi institucionale duke lënë mijëra banorë të izoluar dhe pa mundësi komunikimi me kryeqytetin e vendit.

Postimi:
Ne shi rrëshqet mali dhe bllokohet. Në borë e bllokon ngrica. Në diell shpërbëhet betoni. Pra, problemi nuk është moti.
Problemi është korrupsioni në çdo stinë.
Akset kombëtare që lidhin juglindjen janë sot dëshmia më e qartë e dështimit dhe vjedhjes.
Rruga Librazhd–Prrenjas është simbol i standardit mizerabël të qeverisjes së Edi Ramës.
Rruga Qukës–Qafë Plloçë, pas 13 vitesh dhe mbi 300 milionë eurosh, ende nuk është e aksesueshme. Paratë u shtuan për fushatë, jo për standard. Rruga Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh u ngushtua dhe iu ndryshua projekti për të favorizuar interesa të lidhura me Devoll Hydropower, jo për t’i shërbyer qytetarëve.
Sot, të gjitha janë të bllokuara dhe për asnjërën nuk ka asnjë përgjegjës.
Kjo është braktisje dhe shpërdorim detyre më e pakta!
Është braktisje e qytetarëve të juglindjes.
Është rrezikim i jetës së çdo udhëtari.
Një zonë e tërë është e izoluar, jo nga natyra por nga korrupsioni dhe babëzia.
Në çdo vend me standard europian, një qeveri do të kishte dhënë dorëheqjen.
Në Shqipëri, kjo qeveri duhet larguar!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb