Deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka deklaruar se Presidenti Bajram Begaj nuk duhet të vijojë më të ushtrojë detyrën e kreut të shtetit.
Në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Bylykbashi u shpreh se janë tashmë një numër i dekreteve të lëshuara nga Presidenti, që janë në shkelje të ligjit apo Kushtetutës, duke iu referuar dekretimit të djeshëm të datës së zgjedhjeve të përkohshme në 6 bashki nga Begaj.
“Shkelje brutale. Presidenti mesa duket është në pamundësi të ushtrojë detyrën, nuk po e lënë të ushtrojë detyrën që është një nga arsyet pse Presidenti nuk mund ta vazhdojë më atë detyrë. U bënë disa dekrete që janë haptazi në shkelje.
Ligji detyronte që vakancat të shpalleshin në kohën kur kanë ndodhur njëra pas tjetrës. Presidenti mendon që është mbi ligjin dhe Kushtetutën. Shkelja është flagrante. Zgjedhjet duhet të kishin ndodhur më parë, vakancat duhet të ishin shprehur më parë”, tha ai.
