Qeveria e Maqedonisë së Veriut është detyruar të ulë sërish akcizën e naftës dhe të zgjasë periudhën e lënies në fuqi të reduktimit të TVSH-së nga 18 në 10%. Mediat maqedonase raportojnë se Konsumi i karburanteve u rrit javën e kaluar në një nivel rekord prej 2 milionë litrash në ditë, nga rreth 1.5 milionë litra më parë, i nxitur nga kërkesa më e lartë e drejtuesve të automjeteve nga vendet fqinje, të tërhequr nga çmimet më të ulëta me pakicë.
Masa më e fundit parashikon një ulje shtesë të akcizës me 4 denarë për litër për naftën dhe me 2 denarë për litër për benzinën 95 dhe 98 oktan, tha kryeministri Hristijan Mickoski në një konferencë për shtyp të dielën, cituar në një deklaratë të qeverisë.
Qeveria zgjati gjithashtu deri më 20 prill një masë të miratuar më parë, që ul normën e TVSH-së për karburantet në 10% nga 18%, e cila ishte zbatuar fillimisht në mars.
Pavarësisht rritjes së konsumi nuk do të ketë kufizime, pasi diskutimet me tregtarët dhe furnitorët kanë konfirmuar se konsumatorët vendas nuk do të preken dhe nuk do të përballen me rreziqe për furnizimin, tha kryeministri, shkruajnë mediat e Maqedonisë së Veriut.
Çmimet me pakicë të karburanteve në Maqedoninë e Veriut janë rritur që përpara luftës në Lindjen e Mesme, duke arritur tani në 84 denarë për litër për Eurosuper 95, 85.5 denarë për Eurosuper 98 dhe 95.5 denarë për Eurodiesel, ose rreth 1.36 euro për litër për Eurosuper 95, 1.38 euro për litër për Eurosuper 98 dhe 1.55 euro për litër për Eurodiesel.
Sipas të dhënave të Komisionit Rregullator të Energjisë, kjo përfaqëson rritje prej rreth 10 denarësh për litër për llojet e benzinës, ose afërsisht 0.16 euro, dhe 26.5 denarë për litër për naftën, ose rreth 0.43 euro. (1 euro = 61.74 denarë).
Konsumi i shqiptarëve në vendet fqinje, të paktën 1 milionë euro në ditë
Përdoruesit shqiptarë të automjeteve historikisht kur dalin nga Shqipëria furnizohen sa kalojnë kufirin. edhe banorët e zonave kufitare kalojnë kufirin në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, apo Kosovë.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve llogarit rreth 300 -500 / tonë në ditë naftë merren nga klientët shqiptarë afër zonave kufitare. Krahas tyre, një tjetër konsum i humbur prej 120-300 ton në ditë llogaritet nga shtetasit të huaj, që potencialisht do të blinin në Shqipëri, por furnizohen në hyrje e dale në kufi.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Doganat, konsumi vjetor në Shqipëri i karburanteve është rreth 740 mijë ton në vit, ose rreth 2000 ton në ditë (që me çmimin aktual prej 214 lekë për litër përkthehet në një konsum prej 5.2 milionë euro në ditë).
Nga të dhënat vlerësohet se blerjet e karburantit në vendet fqinje janë mesatarisht sa 15-25% e totalit të konsumit në vend.
Duke konvertuar 500 ton në litra, me një çmim mesatar prej 1.5-1.6 euro për litër, llogaritet se nga Shqipëria po dalin aktualisht rreth 1 milion euro në ditë për blerjen e karburanteve në vendet fqinje, ose mbi 350 milionë euro në vit.
Ndërsa çmimet më të shtrenjta të ushqimeve lidhen me mungesën e konkurrueshmërise dhe varësinë e lartë nga importi, duke e kthyer ekonominë në një supermarket të madh, për naftën, një nga arsyet kryesore lidhet me barrën e lartë të taksave që paguhet për çdo litër.
Në total, aktualisht, një shqiptar paguan në një litër naftë 1.16 euro taksa, (53% të çmimit final); një qytetar maqedonas 0.58 euro për litër (36% të çmimit final); një malazez 0.55 euro (35% të çmimit final); një shtetas i Kosovës 0.67 euro, ose 38.5% të çmimit final.
Në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, ku aktualisht karburanti po tregtohet me rreth 1.6 euro për litër.
Në Kosovë çmimi u rrit së fundmi në 1.7-1.8 euro/litër, në Shqipëri është 2.2 euro/litër.
Qeveria shqiptare uli së fundmi akcizën me 20%, por kjo lëvizje u përkthye në vetëm 9.5 lekë kursim, teksa çmimi i naftës u rrit në 224 lekë/litër, apo 40-50% më shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut. / Monitor
