Ndërsa para pak kohësh një moment romantik në një koncert të Coldplay bëri xhiron e rrjeteve sociale – për të gjitha arsyet e gabuara – kësaj here është Lionel Messi ai që po rrëmben vëmendjen, por me një prani krejt ndryshe.
Ylli i futbollit dhe bashkëshortja e tij, Antonela Roccuzzo, u panë duke shijuar koncertin e Coldplay në Hard Rock Stadium të Miamit, ku u kapën nga kamera e madhe e skenës (jumbotron) dhe reagimi i tyre ishte gjithçka që fansat mund të kishin shpresuar: thjeshtësi, elegancë dhe dashuri.
Ndërsa turma po shijonte muzikën dhe energjinë e Chris Martin dhe bandës së tij, një moment i papritur ndezi atmosferën në stadium: fytyra e Messit u shfaq në ekranin gjigant, duke shkaktuar menjëherë brohorima dhe thirrje “Messi! Messi!” nga fansat.
Futbollisti argjentinas, buzëqeshi me modesti, ndërsa përkrah tij, Antonela shkëlqente, duke kërcyer dhe duke shijuar koncertin.
Por surpriza nuk mbaroi me kaq. Chris Martin, në mes të performancës, ndaloi gjithçka për të përshëndetur personalisht kampionin botëror:
“Lio, vëllai im i bukur. Ti dhe gruaja jote dukeni fantastik. Faleminderit që erdhët sonte. Je sportisti më i madh i të gjitha kohërave.”
Në rrjete sociale, videoja e momentit është bërë virale në pak orë. Komentet e fansave shkojnë nga entuziazmi total tek batuta të tipit:
“Ky njeri nuk ka asgjë për të provuar. Edhe në koncert është GOAT-i!” dhe “Antonela + Coldplay + Messi = kombinimi perfekt i verës në Miami.”
