News24 ka siguruar pamje nga arrestimi i Ramadan Zotos në Korçë vetëm pak minuta më parë.
Në video shihet se si tre persona janë të shtrirë në tokë, ndërsa forca të shumta procedojnë me arrestimin e tyre.

Zoto ishte në arrati që prej muajit korrik, kur dyshohet se plagosi me armë zjarri dy shtetas, Gëzim Hoxhaj (32 vjeç) dhe Ernest Lama (24 vjeç), në qytetin e Sarandës.

Zoto u kap në qendër të qytetit të Korçës, teksa udhëtonte me një mjet tip “Audi”. Arrestimi u realizua me pjesëmarrjen e forcave të shumta policore, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan disa armë zjarri dhe u shoqëruan disa persona të tjerë të dyshuar.

I rrezikshëm dhe me precedentë penalë

Ramadan Zoto, i cili përdor edhe identitetin Ramadan Canaj, rezulton me precedentë të rëndë penalë. Ai është dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, dhe gjatë një incidenti me policinë greke, ka shkëmbyer zjarr me forcat e rendit. Aktualisht, ndodhet nën hetim edhe në Shqipëri, ku po përballet me një proces gjyqësor në Sarandë për akuzën “Goditje për shkak të detyrës”.

Në kërkim është shpallur edhe vëllai i tij, Erjon Canaj, 35 vjeç, i cili gjithashtu është një person me precedentë penalë. Në dhjetor 2022, ai dhunoi një roje në spitalin e Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 u arrestua në banesë me dy pistoleta, por më vonë u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb