Gazetari Klevin Muka i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit publikoi në rrjetet sociale poezinë “Kundërshtarëve të mi” të Dritëro Agollit, duke e përdorur si mesazh në mes të protestave që prej 37 ditësh kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e tij.

Rama ka reaguar pothuajse çdo ditë ndaj protestuesve, duke deklaruar se ata po mashtrohen dhe po përdoren, ndërsa ka hedhur edhe akuza se protestat mbarëpopullore organizohen nga agjentë të huaj. Në postimin e tij të fundit, ai zgjodhi të ndajë vargjet e Agollit, të cilat u interpretuan si një përgjigje ndaj kritikëve.

Në reagimin e tij, gazetari Muka zgjodhi t’i përgjigjej me një tjetër poezi të shkrimtarit të madh, me titull “Një i çmendur një vend e çmend”.

“Në vendin tim e në vendin tënd
E shpojnë lakrën, i hedhin mend.
Në vendin tim e në vendin tënd
Ty të kruhet, tjetrit i dhëmb.
Në vendin tim e në vendin tënd
Hënën si petull e pjekin në shkëmb.
Në vendin tim e në vendin tënd
Një i çmendur, një vend e çmend”, thuhet në poezinë e Dritëro Agollit.

Postimi i Klevin Mukës:

Poezia e Dritëro Agollit, “Kundërshtarëve të mi”, postuar nga Rama:
“Ju aq baltë po hidhni mbi mua, Sa në baltën që kam përmbi trup Mund të mbijë një dardhë a një ftua, Një korije e madhe me dushk.
Në korije dhe dru mund të mbani, Mund të shkoni për gjah me langonj, Mund të ngjiti në pemë të hani, Po të doni dhe dardha, dhe ftonj.
Balta ngrihet mbi mua e pasur, Sa mbi baltën korija bleron… Trupin tim ma bleruat padashur Dhe ma bëtë vërtet plantacion”, thuhet në poezinë e ndarë nga kreu I qeverisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb