Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë Dibër, Artion Duka ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e Renis Dobrës në Mat rreth një javë më parë. Ai ka bërë me dije se në vrasje kanë qenë të përfshirë tre vëllezër, Fatjon Bushgjoka, Kristi Bushgjokaj alias Kristë Bushgjokaj dhe Aleksander Bushgjokaj alias Aleksandër Bushgjokaj.

I arrestuar prej tyre është Fatjon Bushgjoka, ndërsa dy të tjerët janë shpallur në kërkim.

Policia në një konferencë për shtyp ka sqaruar gjithashtu se janë shoqëruar katër persona, ndërsa autorët ndryshe nga sa mendohej, nuk kanë përdorur uniformë policie gjatë ngjarjes.

“Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.

Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.

Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, 4 shtetas të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive për të përcaktuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale.

Në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër siguron qytetarët e qarkut Dibër, se po punon maksimalisht për të parandaluar dhe goditur çdo paligjshmëri që cenon jetën dhe pronën e qytetarëve.

Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me organet ligjzbatuese dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po punohet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushat e narkotikeve dhe trafiqeve të paligjshme. Përfitoj nga rasti që t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të qarkut Dibër, që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri.

Parandalimi dhe goditja e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, armëmbajtes pa leje, vjedhjes së pronës, ndërtimeve pa leje, si dhe garantimi në tërësi i sigurisë përgjatë sezonit turistik, janë prioritet i punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb