Gazetari Fatjon Gjinaj, i ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, ka komentuar zhvillimet më të fundit lidhur me hetimet e SPAK ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas Gjinajt, Balluku pritet të paraqitet nesër në SPAK, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ajo thirret nga prokuroria e posaçme.

“Është ora 15:00 e pasdites dhe ajo mund të justifikohet si prezencë në këtë orë. Balluku pritet të shkojë nesër në SPAK. Një nga elementët që e bën këtë të pritshme është fakti se është hera e dytë që thirret, dhe herën e tretë bëhet shoqërimi me polici. Në atë rast ajo vendoset para prokurorëve dhe hetuesve të SPAK,” u shpreh Gjinaj.

Gazetari sqaroi se hetimet ndaj Ballukut lidhen me çështje të ndryshme që janë denoncuar publikisht dhe për të cilat janë bërë kallëzime penale, duke i cilësuar si “vulnerabël” për zëvendëskryeministren.

“Lidhur me motivet dhe hetimet ndaj saj, duket një vepër vulnerabël, duke marrë parasysh kontekstin e denoncimeve dhe kallëzimeve penale ndaj saj për çështje më të rënda,” tha Gjinaj.

Ai shtoi gjithashtu se në dijeninë e tij, ekziston një procedim penal i regjistruar për projektin e “Tigrave” dhe termocentralëve lundrues në Vlorë, i cili po hetohet nga prokurori Dritan Prençi.

“Prokurori Dritan Prençi ka regjistruar procedimin penal për shkeljen e barazisë në tendera për Ballukun,” deklaroi gazetari, duke lënë të kuptohet se hetimet ndaj zv/kryeministres mund të përfshijnë më shumë se një dosje.

Në përfundim, Gjinaj theksoi se përfshirja e emrit të Belinda Ballukut në disa procedime penale tregon se çështja po hyn në një fazë më intensive hetimore, ku pritet që SPAK të ndërmarrë veprime të tjera konkrete në ditët në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb