Alfred Muharremi, këshilltar i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, protestat e opozitës dhe akuzat ndaj mazhorancës.
Muharremi e cilësoi protestën e opozitës si të pabazë dhe pa koherencë politike. “Protesta e opozitës është pa shtyllë kurrizore. Berisha tha se do shpëtojnë demokracinë, por nëse ka një njeri që e ka përdhosur demokracinë në këtë vend, është vetë ai, që ka shkaktuar plagë të mëdha sociale,” u shpreh ai.
Në lidhje me reformën në drejtësi, ai theksoi se ajo nuk kufizohet vetëm te SPAK-u. “Reforma në drejtësi ka nisur me reformën gjyqësore, vettingun dhe më pas me SPAK-un, i cili është ende një institucion i ri,” tha Muharremi. Sipas tij, qytetarët nuk kanë votuar për korrupsion, ndërsa PS ka treguar se është e gatshme të vetëpastrohet.
Ai përmendi gjithashtu ndryshimet në administratë dhe në Kuvend, duke theksuar se sot drejtorët e përgjithshëm kanë mandate të shkurtra dhe Parlamenti i ri përfshin 54 deputetë të rinj. “Në PD ka deputetë që rrinë prej 30 vitesh në Parlament,” shtoi ai.
Në përfundim, Muharremi theksoi përgjegjësinë personale të çdo funksionari publik. “Nëse unë nesër lajthis dhe bëj korrupsion, nuk e ka fajin kryeministri. Socialistët më kanë dhënë votëbesim për t’u shërbyer qytetarëve,” deklaroi ai.
