TIRANE- Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi sot t’ju heqë mandatin dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi i PDIU dhe Gledion Rahovica i LSI-së.

Ndërsa vendimi do ti përcillet Kreut të Kuvendit, “BalkanWeb” mëson se kush janë emrat e rinj që do futen në Parlament në vend të tyre.

Në listën e qarkut të Beratit pas Rahovicës renditet Silva Caka, e cila ka shumë mundësi të bëhet deputetja më e re e LSI-së. Ndërsa tek PDIU-ja nëse ky subjekt politik ka respektuar kuotën për barazi gjinore, emri që merr mandatin e deputetit është Dritan Bici.
ELBASAN, PDIU
florenca-elbasan
BERAT, LSI
silva-caka
KQZ në mbledhjen e sotme shqyrtoi informacionet shtesë të sjella nga Prokuroria e Përgjithshme për dy deputetët e Kuvendit, të cilët sipas organit të akuzës kanë fshehur ndalimet në shtetin italian dhe kanë përdorur gjeneralitete të rreme.

Në mbledhjen e datës 3 janar, anëtari i propozuar nga LSI-ja, Gezim Veleshnja dhe tre anëtarët e mbështetur nga Partia Socialiste, Denar Biba, Bledar Skenderi dhe Edlira Jorgaqi kanë bashkuar votat dhe miratuan shtyrjen e mbledhjes, për t’i lënë më shumë kohë Prokurorisë që të japë informacione shtesë për dy deputetët.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve gjithashtu shqyrtoi edhe ndërprerjen e mandatit të për kryetarin e Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri.

KQZ vendosi t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme informacion shtesë për Kaprin.

Në informacionin që ishte dërguar në mbledhjen e sotme për kryebashkiakun e Pogradecit, thuhej se se Kapri ishte dëbuar nga Italia në vitet ’90, pasi një vendim i tillë ishte marrë më parë nga shteti gjerman për motive emigracioni.

Për këtë arsye, anëtarët e KQZ votuan që organi i akuzës të sjellë të tjera materiale dhe informacione për të sqaruar më mirë rastin e Eduart Kaprit, nëse dëbimi i tij nga Gjermani ka të bëjë me shkeljen e rregullave të emigracionit apo me kryerjen e ndonjë vepre penale.
(m.a/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb