TIRANË

Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka ka folur sot në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24 dhe për akuzat për financimin rus për lobim në SHBA të ish-kreut të kësaj force Lulzim Basha.

Paloka zbardhi bisedat dhe deklaratat, kur për herë të parë u artikuluan këto akuza nga PS.

“Kjo çështje është ngritur disa vite më parë nga kryetari i grupit socialist, në atë kohë pati një reagim të Bashës, askush prej nesh dhe as drejtuesit e tjerë të PD në atë kohë nuk kanë pasur dijeni për këtë kohë, as për faktin që deklaroi Basha për lobimin në SHBA.

Në atë kohë, si Basha, edhe unë, e kemi mohuar pavarësisht se nuk kishim dijeni, por i besoj kryetarit tim jo Ballës… patëm një bisedë me Bashën dhe më tha të njëjtat fjalë që deklaroi publikisht, madje unë i thash se s’kemi nevojë të paguajmë për lobim apo takime.

Sot jemi në një situatë më ndryshe sepse nuk është më Balla që ngre akuza, por një akuzë që vjen nga një zyrtar i DASH, transmetuar në Zërin e Amerikës.

Në këto kushte, kemi kërkuar të hetohet çështja. Nëse deklarimet e Bashës janë ato që ka bërë në atë kohë dhe më pas kanë ndryshuar, tregon se nuk ka qenë as i sinqertë me ne, sepse i ka thënë Berishës se janë para të mbledhura nga komuniteti shqiptar në SHBA…

Nëse flitet për përgjegjësi, është totalisht e Bashës sepse asnjë prej nesh nuk ka pasur informacion. Sot nga gjërat që dalin shoh se kam qenë në hije për shumë gjëra.

Kemi qenë pa informacion dhe nga ato që i janë thënë Berishës deklaron se nuk janë të vërteta. Ku është përgjegjësia e Berishës?!”, deklaroi Paloka.

Ai tha më tej se Basha të njëjtat që gjëra që i ka thënë Berishës i ka thënë dhe atij vetë. “Dhe unë dua ta besoj se është ashtu. Për mua është tjetër gjë që lidhet me këtë çështje, atëherë rezulton se ajo që thuhet se mbahet peng diku, me diçka, rezulton se qenka e vërtetë dhe çështja qenka kjo.

Nuk më duket logjike që rusët të bëjnë një tentativë të tillë edhe sikur Basha të donte, por mbetet për të hetuar”, u shpreh deputeti i PD.

I pyetur nëse do përjashtohej Basha nëse akuzat rezultojnë të vërteta, ai tha se do ishte më shumë se sa për përjashtim.

“Nëse do të ishin marrë ato para, marrim rastin ekstrem, nëse Basha paska marrë me dijeni të plotë para nga Kremlini për të realizuar një akt nuk e di çfarë, kjo do të ishte më shumë se sa një akt që do të kërkonte përjashtimin nga PD-ja, pastaj kalonte në çështjes penale. Unë seriozisht shpresoj që nuk jemi në këtë pikë të akuzës. PD lindi si parti properëndimore dhe sigurisht e bëri të qartë që të gjithë këtë. E kalon nivelin e përjashtimit nga partia, çfarë vlere do kishte kjo. Gjithmonë më ngelet pjesa e dukshme. Pjesa e dukshme është që Lulzim Basha me akt të kryer ose jo ka rënë peng dhe ka zbatuar një linjë që është kundër PD-së me vetëdije të plotë. E imponuar nga ambasadorja amerikane apo jo, faktet janë këto. Basha është vegla që është përdorur”, u shpreh Paloka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb