Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të finalizohet sot ose të enjten, duke theksuar se negociatat me Iranin kanë shënuar “përparim të madh”.
Duke folur për gazetarët përpara se të nisej me Air Force One nga Los Angeles drejt Las Vegasit, Trump tha se Teherani ka kërkuar zhvillimin e bisedimeve, pavarësisht deklaratave publike se nuk po negocion.
“Më telefonuan dhe më thanë: ‘Ju lutem, le të flasim për këtë’. Ata gjithmonë thonë se nuk po negociojnë, por pastaj telefonojnë dhe duan të flasin. Ne po flasim,” u shpreh ai.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se SHBA-ja ka zhvilluar “diskutime të shkëlqyera” me Iranin, por paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, mund të pasojnë veprime ushtarake edhe më të ashpra.
“I kemi goditur shumë fort, por goditja më e rëndë ende nuk ka ardhur dhe shpresoj të mos na duhet ta përdorim. Ata duan të gjejnë një marrëveshje. Nëse nuk e bëjnë, do të jetë për të ardhur keq,” tha presidenti amerikan.
Trump përsëriti gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit “do të hapet shumë shpejt”, duke paralajmëruar pasoja serioze në rast se Irani nuk bashkëpunon.
“Ngushtica e Hormuzit do të hapet shumë shpejt, përndryshe do të ketë goditje shumë të rënda. Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore,” deklaroi ai.
Ndërkohë, sipas raportimit të Axios, Shtetet e Bashkuara, Irani dhe Omani janë pranë arritjes së një marrëveshjeje paraprake për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Burime rajonale dhe një zyrtar amerikan thanë se njoftimi mund të bëhet gjatë së mërkurës.
Marrëveshja e përkohshme parashikon një mekanizëm 60-ditor, me mundësi zgjatjeje, që synon rivendosjen e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe rifillimin e negociatave për programin bërthamor iranian. Gjithashtu, ajo do të adresonte disa kërkesa të Teheranit lidhur me kontrollin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.
