Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, Mark Marku, komentoi situatën e krijuar nga moti i acartë, që ka përfshirë vendin në këto ditë shkurti.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Marku i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë firmat e mirëmbajtjes së rrugëve, bashkitë dhe koncesionarin e Rrugës së Kombit, pasi sipas tij, nuk reaguan në kohë për të parandaluar situatën.

Sipas Markut, situata në vendin tonë nuk është emergjente, pasi ka rënë vetëm 20 centimetra borë, por mosreagimi i firmave bëri që të krijohej kjo situatë, me rrugë të bllokuara dhe fshatra të tërë të izoluar e pa drita.

“Nuk janë të tepruara polemikat për motin e keq, sepse prej dy ditësh është bllokuar gjithë qarku. Dje ishte bllokuar aksi Milot-Lezhë, ishin bllokuar të gjitha rrugët e qarkut. 20 centimetra borë në vende të ndryshme, si Kosovë, Mal të Zi, etj. bien edhe në prill, por nuk bllokohen rrugët. Kjo kohë ishte e parashikuar dhe kishte 20 cm borë, që nuk shkakton asnjë problem. Ishin 20 cm borë dhe u bllokua gjithë qarku. Kjo do të thotë se ka korrupsion. Janë kontraktuar firmat për të mirëmbajtur rrugët, por nuk e bëjnë këtë, sepse nuk ka kripë. Po hodhe kripë para se të bjerë borë, nuk ka ngricë. Problemi është se pushteti lokal dhe qeveria dështuan me 20 cm borë. Ti lësh qytetarët në mëshirë të fatit kjo është katastrofë. Kemi korrupsion të tmerrshëm. Firmat thonë se po punojnë pas dy ditësh për të mirëmbajtur rrugën, kur duhet bërë që kur nis bora. Ka fshatra, i gjithë Kurbini, që është pa drita dy ditë. Nëse ne nuk paguajmë dritat, gjobitemi dhe shkojmë në burg, po shtetin kush e gjobit? Gjithë ato kompani që kanë marrë tenderat, por edhe bashkitë, edhe koncesionari për Rrugën e Kombit, duhet të shkojnë në Prokurori. Gjithë fshatrat janë të izoluar. Mund të ketë njerëz të sëmurë. Janë të gjithë fshatrat e qarkut të izoluar. Sot po të sëmuret një njeri, vdes. Për këtë i them Prokurorisë të nisë hetimet dhe të cojë para drejtësisë të gjithë ata që janë paguar për këtë punë, për t’iu përgjigjur situatave emergjence. Kjo nuk është situatë emergjente, me 20 cm borë, por shteti nuk funksionon”, tha Marku.

 

Si po shkon fushata?
Po takoj njerëz, po tmerrohem nga problemet që kanë. Janë qytetarë të lënë në fatin e tyre nga shteti. Këtu në qendër është ai që qeveris. Duhet të pasurohet ai që qeveris.

Çfarë pritshmërishë keni, pasi pamë zgjedhjet në Kosovë? Do kemi fushatë dhe zgjedhje të qeta?
Situatën e qetë zgjedhore e garanton qeveria. Nëse këta mendojnë, sic mburren, se ne do i blejmë votat, se këtë e thonë hapur kudo, unë mendoj se kurrë nuk mund të blihet predispozita e njerëzve për të ndryshuar qeverinë. Kjo që ndodhi në Kosovë është shpresë. Edhe po të bllokosh të gjitha rrugët për ndryshim, absolutisht që njerëzit vendosin për ndryshimin.

Mendon se PD është Vetëvendosja?
Jo, është parti tjetër. Por PD ka marrë përsipër të bëjë ndryshimin dhe po e tregon edhe me programin. Vetëvendosja është parti e majtë, i referohet vlerave të majta. Unë nuk e kam problemin me të majtën, por me mënyrën si qeveriset vendi. Një qeverisje mund të ketë gabime, por nëse PD me qeverisjen e vet vazhdon përsërit të njëjtat gjëra dhe nuk tenton atë ndryshim, për të cilin votohet, duhet të ikë. Një qeveri e mirë matet nga rezultatet, jo nga fjalët. Kemi 8 vite që dëgjojmë Ramën, por gjendja është ekonomi e shkatërruar, jetë e rrënuar. Kanë iku 25% e popullsisë nga Lezha. Kur ka ikje në mënyrë masive, do të thotë që gjendja është rëndë. Problemi shtrohet, duhet të ikim ne, apo qeveria. Të ikë qeveria, jo qytetarët. Unë do doja të fitonte LDK, por për shkak se për 20 nuk ka ndryshuar asgjë, njerëzit zgjodhën Albin Kurtin, që është preteksti për ndryshimin. Duhet të krijojmë premisa ndryshimi. Unë e kam thënë edhe për PD para 8 viteve, se nëse qeverisim kështu, do të ikim. E mira është të krijojmë një model tjetër. Nëse nuk e krijojmë këtë model dhe të marrim përgjegjësi për gjendjen e vendit, normal që duhet të ikim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb