Eurodeputetja gjermane Anna Strolenberg ka reaguar ashpër për protestat studentore në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për situatën e krijuar dhe duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të dënojnë dhunën gjatë tubimeve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Strolenberg thotë se ka parë pamje shqetësuese të ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve, por edhe video ku persona u vënë flakën ndërtesave. Sipas saj, përgjegjësia për përshkallëzimin e situatës nuk mund t’u faturohet vetëm policisë apo protestuesve të dhunshëm.

“Përfundimi im, megjithatë, është i qartë: Edi Rama është shkaku i gjithë kësaj”, shprehet eurodeputetja.

Ajo kritikon mënyrën se si, sipas saj, kryeministri ka trajtuar protestuesit paqësorë të lëvizjes së Flamingove, ndërsa e akuzon se nuk po tregon vullnet për të luftuar korrupsionin dhe për të ndërmarrë ndryshime thelbësore në vend.

Strolenberg shprehet se mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por thekson se procesi duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve.

“Unë dua që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne jemi të gjithë evropianë. Dhe pikërisht për këtë arsye, ndiej përgjegjësinë të veproj”, deklaron ajo.

Eurodeputetja njofton se do t’i kërkojë Bashkimit Evropian dhe vendeve të ndryshme të dënojnë dhunën e shënuar gjatë protestave. Ajo e lidh gjithashtu situatën me procesin e integrimit evropian dhe raportin e zgjerimit të Komisionit Evropian, që sipas deklaratës së saj pritet të publikohet më 4 nëntor.

“Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të ketë një qeveri që respekton të drejtat themelore të qytetarëve të saj”, thekson Strolenberg, duke bërë thirrje për presion ndaj autoriteteve shqiptare.

Reagimi i eurodeputetes vjen në një kohë kur protestat studentore dhe tubimet kundër qeverisë janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa kërkesat për reforma, luftë kundër korrupsionit dhe ndryshime politike vijojnë të jenë në qendër të protestave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb