Eksperti i çështjeve të sigurisë, Dritan Demiraj, ka komentuar rreth mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kosovës në rast të një sulmi, duke theksuar se në një situatë të tillë, Shqipëria do të mbrohet jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe nga Turqia. Sipas tij, Shqipëria është shumë vulnerabël përballë kërcënimeve dhe rreziqeve jo vetëm rajonale, por edhe më gjerë, dhe është e nevojshme që të krijohet një strategji e përbashkët mbrojtjeje midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Demiraj theksoi rëndësinë e një strategjie të përbashkët të sigurisë kombëtare për të dyja vendet, duke sugjeruar që Ministritë e Mbrojtjes të Kosovës dhe Shqipërisë të punojnë së bashku për të forcuar mbrojtjen e përbashkët. Një nga pikat kryesore të këtij bashkëpunimi, sipas Demirajt, është integrimi i ushtrive të të dyja vendeve, një hap që aktualisht mungon, por që ai e konsideron si të domosdoshëm për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Pyetje: Në rast se kemi një rast hipotetik ku Shqipëria mund të sulmohet, Amerika do vijë të na mbrojë?
Dritan Demiraj: Pa diskutim, jo vetëm SHBA, por ne kemi edhe aleatë të tjerë, një nga aleatët është Turqia që nuk besoj se nuk do të ndërhynte.
Kolonel Demiraj komentoi edhe deklaratat e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që siç tha ai kërkon që të marrë rolin drejtues.
“Aktualisht propozimi që ka bërë Macron, po përpuqet se ai që të marrë rolin drejtues, meqë ka edhe armët nukleare. Kjo ka krijuar një debat të madh në SHBA. Sipas analistëve më të lartë, kjo është një deklaratë emocionale për shkak se presidenti Macron është në mbështetjen më minimale politike në vendin e tij. Ndërkohë që ekonomia dhe problematikat e brendshme në Francë janë më të larta se asnjëherë tjetër. Marrë në konsideratë edhe kapacitetet e ombrellës nukleare tokë det ajër të Francës është e pamundur për ta përmbushur këtë mision që Macron e merr përsipër”, tha Demiraj.
(Balkanweb)
