Rektori i Universitetit “Luarasi”, Ethem Ruka, ishte sot i ftuar në “Koha për t’u zgjuar” në News24 ku foli në lidhje me faktin që ditën e nesërme nis regjistrimi në Universitete.
Zoti Ruka ka renditur edhe arsyet përse të rinjtë shqiptarë duhet të zgjedhin “Luarasin” për t’u arsimuar dhe për t’u bërë profesionistë të zotë.
Sa i përket programeve të studimit të preferuara nga studentët, Rektori u shpreh se ndër më të zgjedhurit është Teknologjia e Informacionit, Drejtësia dhe Infermieria.
“Zgjedhja e një universiteti nuk është një zgjedhje vetëm për të marrë një diplomë. Duhet zgjedhur universiteti ku merr më shumë njohuri dhe bëhesh profesionist. Një universitet ka detyrë të nxjerrë jo vetëm profesionistë, por edhe qytetarë të mirë. E rëndësishme është që diploma të ketë vlerë pas diplomimit dhe Luarasi është zgjedhja më e mirë. Sigurisht jemi në një garë të fortë, përballemi me 40 universitete, por Luarasi ka një qendrueshmëri që nuk ka ardhur kurrë me rrudhje.
Çdo vit kemi pasur më shumë studentë se një vit më parë. Shtatori për ne është një muaj shumë i rëndësishëm, konsultohemi me studentë dhe prindër, proces që në fakt nis që nga maji.
Zyrtarisht regjistrimet nisin nesër, ne kemi përgatitur gjithçka, për ne është si një ditë feste dhe plot emocione. Ka dilema sa do të na zgjedhin, por nga përvoja jam shumë optimist që edhe ky vit do të jetë shumë i suksesshëm për Luarasin.
Sa i përket programeve më të kërkuara, ecin mirë të gjitha, por këtë vit kërkesat ishin më shumë të prirura ndaj Teknologjisë së Informacionit, më pas ka qenë ekonomiku dhe më pak drejtimet e tjera.
Deri tani duke u nisur nga pararegjistrimet nuk bëj dot një dallim. Numrin më të madh të aplikimeve kanë qenë në fushën e drejtësisë dhe ky nuk është trend i vetëm një viti por një tregues i vijueshëm.
Më pas vjen TIK dhe mjekësia. Për shembull Stomatologjia po shkëlqen. Vitin e kaluar nuk kishim mjaftueshëm kuota t’i përgjigjeshim kërkesave, ndërsa vetëm me pararegjistrimet kemi mbushur më shumë se gjysmat e kuotave edhe pse i kemi rritur këtë vit”, tha ai.
(BalkanWeb)
