SHKODER/GJIROKASTËR- Duke nisur nga dita e nesërme në segmentin Melgushë- Mjedë do të nisin punimet, ndaj parashikohet që të devijohet edhe qarkullimi i mjeteve. Kështu Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor përmes një njoftimi për shtyp japin detaje rreth projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqendruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.
RRUGA GJIROKASTËR-LAZARAT
Ndërkohë nesër në orën 07:00 parashikohet që të nisin punimet edhe në aksin Gjirokastër-Lazarat, në kuadër të Projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në Rezultate”. Ndërhyrja do të kryhet me segmente të pjesshme dhe lëvizja e mjeteve do te kryhet në një korsi, në mënyrë të lejimit të qarkullimit normal për automjetet.
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe Kontraktorit të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.
(ed.me/BalkanWeb)