Vala e protestave qytetare që ka përfshirë Shqipërinë ka gjetur një jehonë të fortë edhe përtej oqeanit, në mesin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Florian Xhuti, një shqiptar që jeton në New York, ka zbuluar se bashkatdhetarët po organizohen për të zbritur në shesh.

Sipas tij, mobilizimi ka nisur në mënyrë spontane në rrjetet sociale dhe pritet që ditën e nesërme të ketë një grumbullim masiv përpara godinës së Konsullatës Shqiptare në New York.

Xhuti bëri me dije se interesimi i shqiptarëve të Amerikës është tejet i lartë dhe se revolta e tyre i kalon kufijtë e një çështjeje të vetme lokale.

“Njerëzit kanë bërë thirrje në rrjetet sociale. Nesër në orën 14:00 do të mblidhen para Konsullatës në New York. Sipas bisedave që kam me shqiptarët këtu, do të ketë shumë pjesëmarrje. Njerëzit janë shumë sensitivë dhe nuk ka të bëjë vetëm me Zvërnecin. Optika është shumë më e gjerë,” deklaroi Xhuti.

Siç shpjegoi ai, kauza e Zvërnecit ka shërbyer si një shkëndijë, por në të vërtetë bëhet fjalë për një pakënaqësi të grumbulluar ndër vite, ku diaspora kërkon ndryshim rrënjësor dhe llogaridhënie për mënyrën se si po qeveriset vendi i tyre i lindjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb