Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi kryeparlamentarin Niko Peleshi se ky i fundit nuk po i njeh deputetët me aktet e SPAK për çështjen e Belinda Ballukut, për të cilën Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion kërkon arrestimin.
Ai tha se aktet që do të diskutohen në Këshillin e Mandateve, janë të panjohura për deputetët që do të marrin pjesë në këtë mbledhje, ndërsa thekson se nuk është ‘sekret hetimor’.
“Anëtarët e Këshillit të Mandateve nuk janë njohur me provat. Ne si deputetë nuk na është vënë në dispozicion materialet e Këshilli të Mandateve. Urdhri nuk i ndalon deputetët që të njihen me këto të dhëna. Niko Peleshi bën të kundërtën, Balluku ka marrë dosjen, ne jo. Deputetët që do të shqyrtojnë rastin, nuk lejohen që të njihen me dokumente, Ky proces ka nisur me shkelje të rëndë. Peleshi do të duhet t’i pajisi deputetët me informacionin e sjellë nga SPAK. S’ka ‘sekret’ as në kërkesën e Prokurorisë dhe as në relacionin e tij. I ka shpallur sekret Peleshi. Edhe për tenderin e Llogarasë, urdhëruesi është Rama dhe Balluku është bashkëpunëtore, por dhe për tenderat e tjerë, të Unazës dhe të rrugëve të Shqipërisë, firmat fituese i ndante Rama në bashkëpunim me Ballukun dhe Berberin. Niko Peleshi e ka betejë të humbur nuk e mbyll dot në kasafortë korrupsionin.”, tha ai.
