Është mbyllur pas rreth tre orësh protesta kundër zbatimit të projektit ku pritet ndërtimi i një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit! Qytetarët kanë paralajmëruar nesër sërish protestë në oprën 18:00.
Tubimi i sotëm ka nisur me tensione ku policia kishte vendosur gardhe metalikë, gjë që nuk i ka penguar qytetarët të bashkohen pas përplasjes me efektivët apo faktit që ndaj tyre u përdor ujë me piper nga autobotet.
Në kor, protestuesit artikuluan një sërë sloganesh, mes tyre thirrje për dorëheqje të qeverisë, akuza ndaj klasës politike dhe kundërshtim të projektit që po zhvillohet në zonën e mbrojtur. Në protestë u dëgjuan gjithashtu sloganet: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Opozitë e shitur” dhe thirrje të tjera drejtuar figurave politike.
Kjo është dita e katërt radhazi e protestave kundër projektit në Zvërnec. Qytetarët dhe aktivistët kërkojnë ndalimin e investimit, duke argumentuar se ai cenon një zonë me vlera të veçanta natyrore dhe mjedisore. Nga ana tjetër, qeveria e konsideron projektin një investim strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.
