TIRANË- Festa e Birrës në Korçë është eventi më i madh festiv në Shqipëri. Këtë vit ajo pritet të startojë sot dhe do zgjasë 5 netë, në të cilat numri i vizitorëve pritet të jetë mbi 100 mijë, vendas dhe të huaj.

Drejtorja e Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Korçës, Larisa Katundi zbardh axhendën dhe risitë e festës. Sipas saj risi e këtij viti do të jetë fakti se festa nuk do të zhvillohet vetëm në një pikë, por “i gjithë qyteti do të kthehet në një beer zonë”. “Do të jenë 5 netë të bukura me larmishmëri:”,- siguroi Katundi.

Edhe këtë vit festa e birrës do shoqërohet me një program muzikor të shkëlqyer, me emrat më të njohura të muzikës shqiptare dhe jo vetëm. Katundi shtoi se “Do të kemi risi me muzikë moderne, me grupe të veçanta, me emrat më të njohur, Elita 5 si dhe këngëtarë si Gent Bushpepa, Vesa Smolica, Flaka Krelani apo Vedat Ademi”.

Sipas saj, “Ndricimi i zonës dhe i skenës do të jetë modern. Korça me këtë festë është kthyer në simbol të festimeve në gjithë shqipërinë, të gatshëm për mikëpritjen e vizitorëve”.

Festa e birrës në Korçë u themelua në vitin 2007, si një iniciativë e Bashkisë Korçë. Festivali është nderuar me çmimin e Turizmit nga Ministria e Kulturës në vitin 2010, për shkak të influencës që pati në rritjen e numrit të turistëve në rajon. Festa e birrës në Korçë, jo vetëm është një segment i rëndësishëm përsa i përket tërheqjes së vizitorëve në rajon, por nga viti në vit ka promovuar dhe përforcuar imazhin turistik të rajonit.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb