Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tronditi skenën politike duke kërkuar amnisti presidencial para se të përfundonte procesi gjyqësor kundër tij.
Kërkesën e tij e mbështeti dy herë Donald Trump, një herë nga foltorja e Knesset-it, duke iu drejtuar presidentit të Izraelit Isaac Herzog, dhe më pas me një letër drejtuar po atij.
Politikanët e opozitës izraelite e kanë përshëndetur negativisht këtë kërkesë. Disa thanë se një amnisti mund të konsiderohet vetëm nëse kryeministri të tërhiqet nga politika dhe pranon fajin e tij.
Të tjerë menduan se Netanyahu duhet të shpallë së pari zgjedhje, të cilat janë planifikuar për tetorin e vitit 2026, para se të kërkojë amnisti.
Ish-kryeministri Naftali Bennett deklaroi se do të mbështeste ndalimin e procesit gjyqësor ndaj Netanyahu nëse ky i fundit pranon të largohet nga politika ‘për të nxjerrë Izraelin nga ky kaos’.
“Kështu mund ta lëmë këtë pas, të bashkohemi dhe të rindërtojmë vendin së bashku”, tha Bennett, i cili udhëhoqi qeverinë koalicionare që fitoi zgjedhjet e 2021 dhe shkarkoi Netanyahu nga kryeministria.
Netanyahu fitoi zgjedhjet vitin pasardhës dhe u rikthye në pushtet. Sondazhet tregojnë se Bennett ka shanset më të mira për të udhëhequr qeverinë e ardhshme izraelite nëse Netanyahu largohet.
Netanyahu, kryeministri më i gjatë në detyrë në historinë e Izraelit, akuzohet që nga viti 2019 për ryshfet, mashtrim dhe shkelje besimi pas hetimeve disa vjeçare.
Procesi gjyqësor filloi në vitin 2020. Kryeministri mohon akuzat, por kërkon amnisti pa u dënuar dhe pa pranuar fajësinë.
Një numër i vogël protestuesish u mblodhën sot jashtë gjykatës së Tel Avivit. Disa mbanin rroba portokalli të burgut dhe kërkonin burgosjen e Netanyahu. Një protestuese tha se është e papranueshme që Netanyahu kërkon amnisti pa pranuar fajin dhe pa marrë përgjegjësi.
Në letrën e publikuar dje ndaj Isaac Herzog, avokatët e Netanyahu argumentuan se pjesëmarrja e tij e shpeshtë në gjykatë «dëmtonte aftësinë e kryeministrit për të qeverisur». Ata shtuan se një amnisti do të ishte gjithashtu e mirë për vendin.
Sipas ligjit izraelit, amnistia jepet vetëm pas përfundimit të procedurave gjyqësore dhe pas dënimit të të akuzuarit. Nuk ka precedent për dhënie amnistie gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor.
