Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti libanez Joseph Aoun do të zhvillojnë një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, ku edhe do të takohen me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas mediave ndërkombëtare kjo vizitë pritet të realizohet brenda 4-5 ditëve të ardhshme.
“Do të jetë hera e parë në 44 vjet që ata takohen, u tha Trump gjatë një deklarate për gazetarët.
Çfarë parashikon marrëveshja?
Detajet e marrëveshjes u publikuan nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas saj, Izraeli dhe Libani do të zbatojnë një armëpushim 10-ditor, në mënyrë që të lejojnë zhvillimin e negociatave me qëllim një marrëveshje përfundimtare sigurie dhe paqeje, duke lënë të hapur mundësinë se kjo periudhë mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë.
Sapo armëpushimi të hyjë në fuqi, qeveria libaneze do të marrë masa specifike për të parandaluar çdo sulm nga Hezbollahu ose grupe të tjera të armatosura që veprojnë në tokën libaneze kundër Izraelit, theksohet në njoftimin nga Departamenti i Shtetit.
Në të njëjtën kohë, sqarohet se Izraeli “rezervon të drejtën për të marrë në çdo kohë, të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e tij”.
Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, drafti i kësaj marrëveshjeje parashikon sa vijon: Izraeli dhe Libani do të zbatojnë një armëpushim nga 16 prilli 2026, për një periudhë fillestare prej dhjetë ditësh, si një gjest vullneti të mirë nga Qeveria e Izraelit, me qëllim që të mundësohet mbajtja e negociatave me mirëbesim për të arritur një marrëveshje të përhershme sigurie dhe paqeje midis dy vendeve”.
