Presidenti izraelit, Isaac Herzog, tha sot se do të marrë parasysh vetëm “të mirën e shtetit dhe të shoqërisë” kur të vendosë nëse do t’i japë apo jo falje kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion.

Kjo çështje “do të shqyrtohet në mënyrën më të përshtatshme dhe të plotë”, tha Herzog, një ditë pasi zyra e tij njoftoi se Netanyahu i kishte kërkuar atij t’i jepte falje.

“Do të marr në konsideratë vetëm të mirën e shtetit dhe shoqërisë izraelite, dhe para syve të mi do të jetë vetëm Shteti i Izraelit dhe interesat e tij”, shtoi ai, sipas një deklarate nga zyra e tij.

Kurse me një video të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, njoftoi se i ka kërkuar presidentit të vendit, Isaac Herzog, falje për gjyqin shumëvjeçar të korrupsionit, duke argumentuar se procesi penal po pengon aftësinë e tij për të qeverisur dhe se falja “do të ishte në të mirën e Izraelit”.

Zyra e presidentit Isaac Herzog e cilësoi kërkesën “të pazakontë” dhe me “implikime të rëndësishme”. Në deklaratë thuhej se: Kërkesa do t’i kalojë departamentit kompetent të Ministrisë së Drejtësisë, sipas praktikës së zakonshme.

Netanyahu u zgjodh për herë të parë kryeministër në vitin 1996 dhe prej atëherë ka ushtruar role të ndryshme në qeveri dhe opozitë. Ai u rikthye në pushtet në vitin 2002 dhe mbetet një nga figurat më të fuqishme në politikën izraelite.

Akuzat kundër tij u ngritën në vitin 2019 në tre çështje të ndara, por të ndërlidhura, që lidhen me dyshime se ai ka favorizuar biznesmenë të njohur në këmbim të dhuratave dhe mbulimit të favorshëm mediatik. Në pesë vite proces, as Netanyahu dhe as avokatët e tij nuk kanë pranuar ndonjëherë fajësi mbi çështjen e emërtuar edhe si “Bibi Files” (Dosja Bibi).

Zgjedhjet e radhës në Izrael pritet të mbahen deri në tetor 2026 dhe sondazhet tregojnë se koalicioni aktual, më i djathti në historinë e vendit, mund të ketë vështirësi të sigurojë mjaftueshëm mandate për të formuar qeverinë e ardhshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb