Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në një intervistë për Fox News se ai dhe presidenti amerikan Donald Trump ndajnë të njëjtin qëllim lidhur me Iranin, duke theksuar se Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.

Sipas Netanyahut, pavarësisht nëse Shtetet e Bashkuara arrijnë ose jo një marrëveshje bërthamore me Iranin, qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar.

“Ne duam ta shohim Iranin të braktisë programin e tij të armëve bërthamore. Ne duam që materiali i pasuruar bërthamor të hiqet dhe objektet e pasurimit të çmontohen. Këto janë qëllimet tona të përbashkëta,” u shpreh ai.

Netanyahu theksoi se pas zhvillimeve të fundit dhe goditjeve që, sipas tij, Izraeli dhe SHBA i kanë shkaktuar Iranit, ekziston hapësirë për presion diplomatik.

Ai shtoi se mbështet përpjekjet e administratës amerikane për një zgjidhje përmes negociatave, por paralajmëroi se qëndrimi i tij është i prerë:

“Me ose pa marrëveshje, për sa kohë që unë jam kryeministër, Irani nuk do të pajiset me armë bërthamore.”

Netanyahu nuk komentoi në detaje mbi ecurinë e bisedimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke thënë se ato ende nuk janë përmbyllur dhe se do t’i vlerësojë kur të ketë një rezultat përfundimtar.

Duke folur për marrëdhënien e tij me Trump, ai e përshkroi atë si një bashkëpunim mes aleatësh që ndajnë të njëjtin objektiv strategjik.

“Ne kemi një qëllim të përbashkët: Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore,” u shpreh Netanyahu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb