Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përshëndetur miratimin e djeshëm nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së për planin e SHBA-së, të promovuar nga Donald Trump, që parashikon krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi në Gaza.

Sipas tij, ky plan do të ndihmojë në përfundimin e sundimit të Hamas-it dhe në zgjerimin e normalizimit në të gjithë rajonin.

Në një postim në anglisht në llogarinë e tij zyrtare në X, Netanyahu lavdëron planin e Trump-it dhe miratimin e tij nga Këshilli i Sigurimit, duke deklaruar se korniza “do të çojë në paqe dhe prosperitet, sepse insiston në demilitarizimin e plotë, çarmatizimin dhe de-radikalizimin e Gazës”. Kjo, sipas “vizionit të Presidentit Trump”, do të “çojë në integrim të mëtejshëm të Izraelit me fqinjët e tij, si dhe në zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit”.

Netanyahu shton se, sipas planit të Trump-it, Izraeli pret të marrë “pa vonesë” mbetjet e tre pengjeve të vdekur që ndodhen ende në Gaza, dhe “të nisë procesin e demilitarizimit dhe çarmatizimit të Rripit të Gazës, duke përfunduar sundimin e Hamas-it në zonë”.

“Liderësia pionere e Presidentit Trump do të ndihmojë për të çuar rajonin drejt paqes dhe prosperitetit, dhe drejt një aleance të qëndrueshme me Shtetet e Bashkuara”, shkruan më tej kryeministri izraelit.

Netanyahu deklaroi gjithashtu se “Izraeli i shtrin dorën e paqes dhe prosperitetit të gjithë fqinjëve tanë dhe i fton ata të normalizojnë marrëdhëniet me ne, të bashkohen me ne për të dëbuar Hamas-in dhe mbështetësit e tij nga rajoni”.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb