Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar publikisht planin 15-pikësh të Presidentit amerikan Donald Trump për armëpushimin në Gaza, duke këmbëngulur se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga enklava përpara çarmatimit të plotë të Hamasit. “Dua të jem i saktë: Izraeli nuk e pranon dokumentin 15-pikësh”, deklaroi Netanyahu gjatë mbledhjes së kabinetit izraelit të dielën, duke e përsëritur më pas për të shmangur çdo paqartësi. Qëndrimi i tij rrezikon të krijojë një përplasje të drejtpërdrejtë me Donald Trump, i cili prej ditësh po përpiqet të promovojë planin e tij për përfundimin e luftës në Gaza.
Sipas planit, çarmatimi i Hamasit do të zhvillohej paralelisht me tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Gaza. Por Netanyahu e ka kundërshtuar këtë mekanizëm. “IDF nuk do të bëjë asnjë tërheqje derisa Hamasi të çarmatoset”, tha ai, duke theksuar se bëhet fjalë për eliminimin e të gjitha armëve, të rënda dhe të lehta. I dërguari i Këshillit të Paqes, Nickolay Mladenov, tha ndërkohë se një proces gradual mbetet i mundur, por vetëm nëse çarmatimi i Hamasit verifikohet në terren. “Askush nuk është i detyruar të bëjë asgjë, aq më pak Izraeli, përpara se të ketë hapa të verifikuar në terren”, deklaroi Mladenov.
Hamasi, nga ana tjetër, ka deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj planit dhe ka kërkuar që Këshilli i Paqes të ushtrojë presion mbi Netanyahun për zbatimin e tij. Por pas deklaratave të kryeministrit izraelit, pyetja kryesore është pse Netanyahu zgjodhi të sfidojë publikisht Trumpin. Një pjesë e përgjigjes lidhet me politikën e brendshme izraelite. Me zgjedhjet që afrohen, Netanyahu përballet me presion nga partitë e djathta dhe të ekstremit të djathtë në koalicionin e tij, të cilat kundërshtojnë çdo tërheqje izraelite nga Gaza përpara eliminimit të Hamasit.
Për Netanyahun, mbështetja e këtyre forcave mund të jetë vendimtare për mbijetesën e tij politike pas zgjedhjeve. Ndërkohë, një zyrtar amerikan ka lënë të kuptohet se pavarësisht përplasjes publike, mund të ketë ende bashkëpunim mes palëve në prapaskenë. Situata e re rrezikon të hapë një çarje të fortë Netanyahu-Trump, pikërisht në një moment kur administrata amerikane po përpiqet të shtyjë përpara planin për armëpushimin dhe stabilizimin e Gazës.
