Nga: Prof. Asoc. Dr. ARJAN KORPA*
E panjohura mund të shkaktojë më tepër se dëmtim, ajo mund të vrasë. Gazi radon ashtu si dhe grimcat e ngurta të padukshme në ajër, vrasin ngadalë dhe në heshtje. Studimi i kryer prej specialistëve shqiptarë të shërbimit gjeologjik në vitin 2005 ka treguar se 30% e sipërfaqes së Tiranës ka përmbajtje të lartë radoni. Konkretisht, si zona me rrezik të lartë janë gjetur, zonat e Kodrës së Kuqe, Kinostudios, “21 Dhjetorit” etj. Nivel të lartë ka edhe në zona të tjera në kryeqytet, si Dajt dhe Priskë. Sipas këtij studimi, në Parkun Kombëtar të Dajtit niveli i përqendrimit të këtij gazi radioaktiv është 10 herë më i madh se parametrat e BE-së. Prania e këtij gazi në kryeqytet konfirmohet edhe nga matjet që janë bërë nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, e cila ka testuar praninë e radonit në nëntokën e Tiranës, në ambientet e brendshme të shtëpive si dhe në depozitën e ujit në Bërxull. Të dhënat kanë rezultuar me të vërtetë shqetësuese, sidomos për sa u përket ambienteve të brendshme. Sipas një studimi të kryer nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU), qyteti i Tiranës rezulton të jetë i vendosur mbi një shtresë të kuqe aktive, që mund të thuhet se prodhon radon.

Radoni (Rn) është një gaz radioaktiv, pa ngjyrë, pa erë dhe shije, pothuajse inert nga pikëpamja kimike, me densitet rreth 8 herë më të madh se ajri (gazi me densitetin më të madh ndër gazet inerte). Vetëm dy izotope të radonit ndeshen në sasi të konsiderueshme: 222Rn dhe 220Rn. 222Rn është pjesëtar i serisë së zbërthimit radioaktiv të uraniumit 238U, ndërsa 220Rn formohet në serinë e zbërthimit të thoriumit (232Th). Izotopi i tij më i qëndrueshëm 222Rn ka një periodë gjysmë-zbërthimi prej 3.8 ditësh (koha e nevojshme për gjysmimin e një sasie substance radioaktive). Në natyrë radoni emetohet prej tokës dhe shkëmbinjve që përmbajnë elemente radioaktive (kryesisht uranium, thorium dhe anëtarë të serive të tyre të zbërthimit radioaktiv). Gazi radon e gjen rrugën për në ambientet e brendshme me anë të shumë mekanizmave, më të rëndësishmit janë difuzioni dhe diferenca e presioneve të jashtme dhe të brendshme. Rrugët e hyrjes së gazit radon janë zakonisht poroziteti, vrimat dhe çarjet në dysheme dhe mure si dhe hapësirat përreth tubacioneve dhe kabllove. Për shkak se radoni ka një atom të vetëm, është e lehtë për të që të depërtojë shumë materiale të tjera si letra, lëkura, plastika dhe shumica e materialeve të ndërtimit. Burimet e pranisë së radonit në ambientet e brendshme të ndërtesave janë përmbajtja e elementeve radioaktive në formacionet e truallit të ndërtesës dhe në materialet e ndërtimit të përdorura. Shumica e materialeve të ndërtimit me origjinë natyrore përmbajnë sasi të ndryshme të radionuklideve të quajtura “NORM”, kryesisht uranium (238U), radium (226Ra), thorium (232Th) dhe kalium (40K). Mbetjet industriale dhe nënproduktet, përdorimi i të cilave si lëndë të para në materialet e ndërtimit ka ardhur duke u rritur për arsye ekonomike dhe mjedisore, përmbajnë specie radioaktive të quajtura “TENORM”, por në sasi shumë më të lartë për shkak të proceseve teknologjike që ato u nënshtrohen.

Radoni mund të hyjë në mushkri me anë të frymëmarrjes. Në mushkri, zbërthimi i mëtejshëm i radonit shoqërohet me rrezatimin e grimcave alfa (bërthama të atomit të heliumit). Grimcat alfa që karakterizohen nga efekt i lartë jonizues mund të reagojnë me indet biologjike të mushkërive (kryesisht epitelit bronkial) duke dëmtuar ADN-në e qelizave me anë të këputjes së lidhjeve kimike. Ka dy tipa efektesh biologjike për shkak të ekspozimit ndaj rrezatimit: efekti stokastik dhe efekti deterministik. Në efektin stokastik shansi i shfaqjes së efektit është me natyrë statistikore dhe në varësi të dozës. Shembuj janë kanceri dhe mutacionet gjenetike (mesatarisht 8% e rasteve të kancerit të mushkërive prej radonit). Efektet deterministike nënkuptojnë dëmtimin në masë të madhe të grupeve të qelizave dhe indeve për shkak të ekspozimit ndaj dozave shumë të mëdha dhe efektet biologjike mund të shfaqen brenda pak orëve deri brenda pak javëve pas ekspozimit ndaj rrezatimit jonizues. Efekti është proporcional me dozën e marrë. Studimet tregojnë se shkaktimi i sëmundjes së kancerit nevojit shfaqjen e të paktën një mutacioni dhe shumimi të pakontrolluar të qelizave të prekura nga dëmtimi i ADN-së. Meqenëse edhe një grimcë e vetme alfa mund të shkaktojë dëmtim të konsiderueshëm gjenetik të një qelize, është e mundur që dëmtimi i ADN-së i shkaktuar nga radoni mund të ndodhë në çdo nivel ekspozimi. Prandaj, nuk ka gjasa që të ekzistojë një nivel i caktuar i përqendrimit nën të cilin radoni nuk ka potencial të shkaktojë kancer të mushkërive. Niveli i sigurt për radonin është mungesa totale e tij. Sa më i ulët niveli i përqendrimit të radonit në banesë, aq më i vogël rreziku i banorëve të saj për kancer të mushkërive. Në kushtet kur stili modern i jetës ka bërë që individët të kalojnë më tepër se 80% të kohës në ambientet e brendshme të banesave, adresimi i ekspozimit ndaj radonit është tepër i rëndësishëm si në ndërtesat e reja (masa parandaluese) ashtu edhe në ato ekzistuese (pakësim i sasisë dhe mjekim i individëve të prekur). Me fillimin e ndërtimit të banesave me efikasitet ekonomik që cilat kërkojnë më pak ventilim dhe qarkullim ajri, shkencëtarët kanë filluar të adresojnë edhe rreziqet e rritura të ekspozimit ndaj radonit.

Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga radioaktiviteti (ICRP), Organizata Botërore e Shëndetësisë (ËHO) dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në mënyrë të vazhdueshme inkurajojnë vendet për të krijuar programe mbrojtëse ndaj radonit. Direktiva e Këshillit 2013/59/EURATOM përmban standardet bazike (BSS) më të fundit për sigurinë dhe mbrojtjen ndaj rreziqeve të ekspozimit të rrezatimit jonizues. Direktiva përmban ndryshimet që reflektojnë zhvillimet e reja ndërkombëtare dhe mbulon të gjitha burimet e rrezatimit, përfshirë edhe ato natyrore. Direktiva kërkon që vendet anëtare të miratojnë akte ligjore, rregulla dhe masa administrative të nevojshme për të përmbushur detyrimet e direktivës brenda 6 shkurtit të 2018. Vendet anëtare duhet të përcaktojnë nivele kombëtare reference për përqendrimin në ambientet e brendshme të radonit. Nivelet e referencës për aktivitetin mesatar vjetor të përqendrimit të radonit në ajër nuk duhet të kalojnë 300 Bq/m3, i cili përfaqëson afërsisht 10 mSv në vit sipas llogaritjeve të Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Radioaktiviteti (ICRP). Një Becquerel (Bq) përkufizohet si zbërthimi i një atomi të një radioizotopi në një sekondë (300 Becquerel nënkupton emetim të një rrezatimi prej 300 zbërthimesh në sekondë). Sasia e rrezatimit të emetuar nga një substancë mund të konvertohet në dozë të absorbuar nga trupi dhe më tej në dozë ekuivalente, duke e shumëzuar këtë të fundit me faktorin 20 për rrezatimin alfa. Doza ekuivalente shprehet në sievert (Sv) ose në milisievert (mSv =1/1000 sievert) dhe është në thelb një masë e sasisë së dëmtimit potencial të organizmit prej një sasie të dhënë rrezatimi.

Një nivel kombëtar reference nuk specifikon një kufi të prerë midis sigurisë dhe rrezikut, por specifikon një nivel të lartë rreziku nga radoni i ambientit të brendshëm nëse nuk mbahet nën kontroll. Kontrolli duhet të bazohet mbi kritere të dozës si nivel përqendrimi reference. Rekomandohet të vendoset një nivel kombëtar reference sa më i ulët të jetë e mundur. Agjencia amerikane e mbrojtjes së mjedisit (USEPA) rekomandon nivele të përqendrimit të radonit të ambienteve të brendshme që korrespondojnë me 150 Bq/m3. Vendet me nivele të ulëta të sfondit të radioaktivitetit si Danimarka, Holanda dhe Izraeli në përgjithësi zgjedhin një kriter më strikt të dozës. Në dritën e fakteve të reja shkencore mbi efektet shëndetësore, Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) propozon një nivel reference prej 100 Bq/m3 për të minimizuar rreziqet e shëndetit të lidhura me radonin në mjediset e brendshme. Megjithatë, në qoftë se ky nivel nuk mund të respektohet për shkak të kushteve specifike dominuese të një vendi të caktuar, referenca e nivelit të përzgjedhur nuk duhet të kalojë 300 Bq/m3. Si pjesë e detyrimeve për anëtarësim në BE, Shqipëria duhet të aplikojë një nivel mbrojtjeje nga radoni, që është konform me nivelin e referencës së Direktivës Evropiane. Sigurisht që kjo nuk është arsyeja e vetme pse shqiptarët duhet të gëzojnë një nivel mbrojtjeje nga rreziku i radonit të barabartë ose më të mirë se nivelet e aplikuara për qytetarët e vendeve të tjera. Arsyeja madhore universale është ajo e mbrojtjes së shëndetit dhe jetës në çdo kohë dhe rrethanë.

Rruga për vendosjen e një niveli kombëtar reference për radonin (sigurisht brenda kriterit evropian), i cili reflekton kushtet lokale dhe ofron mbrojtjen më të mirë të mundshme ndaj radonit në mënyrë ideale duhet të kalojë nëpërmjet bërjes së një studimi dhe përftimit të një hartografie kombëtare (zonaliteti) me nivelet e përqendrimit të radonit për çdo zonë (me ndihmën e studimeve gjeologjike dhe testimeve). Këto nivele përqendrimi do të orientonin më tej autoritetin përkatës për hartimin e kritereve dhe masave parandaluese dhe reduktuese të përqendrimit të radonit për çdo zonë. Mënyra më ekonomike e mbrojtjes së popullatës do të ishte përfshirja në një Kod Kombëtar Ndërtimi të detyrueshëm ndër të tjera edhe të kërkesave zonale për kontroll të përqendrimit të radonit në ndërtesat rezidenciale. Ky Kod Ndërtimi mund të përmbante edhe kriteret dhe masat konkrete parandaluese ndaj radonit në të gjitha ndërtesat e reja dhe ato ekzistuese, veçanërisht në zonat me përqendrim të lartë të radonit ose të përmbante të paktën kodet e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare për referim. Në shumë vende të EU dhe USA futja e detyrueshme e masave mbrojtëse ndaj radonit në ndërtesat e reja është bërë tashmë rutinë. Standardi amerikan ASTM E1465 – 08 është një praktikë e mirë me rekomandime konkrete për opsionet e kontrollit të radonit nëpërmjet kritereve të projektimit dhe ndërtimit të ndërtesave rezidenciale (nuk përfshin ndërtesat shumëkatëshe). Praktika përmban detajet e projektimit dhe metodat e ndërtimit si dhe sistemet e përshtatshme të reduktimit dhe kontrollit të përqendrimit të radonit në ambientet e brendshme. Kjo praktikë dhe të tjera si kjo mund të shërbejnë si bazë e mirë për hartimin e Kodit Kombëtar të Ndërtimit.

Si garanci dhe pjesë e zbatimit të Kodit të Ndërtimit duhet të jenë edhe certifikatat që garantojnë “ambiente të brendshme të shëndetshme”. Leja e përdorimit dhe banimit për ndërtesat duhet të jepet vetëm nëse emetimet e substancave kimike (përfshirë edhe radonin) prej materialeve të përdorura në pjesët e brendshme të ndërtesave arrijnë nivele, të cilat nuk shkaktojnë rreziqe për shëndetin. Për banesat ekzistuese kryesisht duhet të aplikohet sa më herët të jetë e mundur një Program Kombëtar për testimin dhe mjekimin e individëve të ekspozuar ndaj radonit. Sipas rekomandimeve të Komisionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes nga Radioaktiviteti në vendet Evropiane, ku deri në 15% e banesave kanë nivele përqendrimi të radonit mbi 200 Bq/m3, nevojiten masa mjekuese dhe buxhet për ndërhyrje mjekësore. Matjet e përqendrimit të radonit në ambientet e brendshme janë relativisht të shpejta për t’u kryer. E rëndësishme është që ato që bëhen bazuar në protokolle të standardizuara për të garantuar matje të sakta dhe të besueshme. Për banesat me përqendrim më të lartë se 200 Bq/m3 duhet të konsiderohet subvencionim i kurimit të të prekurve për familjet me të ardhura të ulëta. Në të ardhmen, edukimi i publikut mbi përfitimet e parandalimit të radonit është shumë i rëndësishëm, meqenëse kjo do të ndikonte në shtimin e presionit ndaj ndërtuesve për të garantuar që të gjitha masat mbrojtëse ndaj radonit janë implementuar me korrektësi dhe bazuar në Kodin e Ndërtimit. Publiku duhet të informohet që mënyra më e mirë për ta ditur nëse shtëpia e tyre është e sigurt nga radoni është matja e përqendrimit të tij (certifikata e garancisë së banesës së shëndetshme). Inxhinierët duhet të edukohen për të ndjekur informacionin e prodhuesit mbi përbërjen dhe përzgjedhjen e tipit të materialeve të ndërtimit për shmangien e emetimeve të dëmshme për shëndetin. Për sa i përket kësaj të fundit, sipas llogaritjeve matematikore, kur dozat gama limitohen të jenë më të vogla se 1mSv në vit, përqendrimi i 226Ra në materialet e ndërtimit limitohet praktikisht në nivele, të cilat nuk kanë mundësi të shkaktojnë përqendrime të radonit në ambientet e brendshme në sasinë 200 Bq/m3.
* Lektor, Departamenti i Kimisë. Fakulteti i Shkencave të Natyrës
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb