Gjatë një kontrolli fizik të ushtruar në Degën Doganore Kakavijë, strukturat doganore, në bashkëpunim me njësitë e Antikontrabandës, kanë konstatuar dhe bllokuar një sasi prej rreth 1500 palë atlete, të dyshuara për cenim të markës tregtare New Balance.
Mallrat u identifikuan gjatë kontrollit të një mjeti transporti të deklaruar për regjim tranziti. Nga verifikimet rezultoi se pjesa tjetër e ngarkesës ishte në përputhje me deklarimin doganor, ndërsa produktet e dyshuara u bllokuan për procedura të mëtejshme verifikimi.
Në vijim të procedurës, mjeti është vendosur në parkimin doganor dhe është marrë në monitorim nga autoritetet përkatëse deri në përfundim të hetimeve administrative.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mbetet e angazhuar për forcimin e kontrolleve, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe respektimin e legjislacionit në fuqi në fushën e tregtisë dhe të drejtave të pronësisë intelektuale.
