Televizioni News24 vjen ndryshe në ditët e ndërrimit të viteve, duke qëndruar pranë shikuesve të tij me një program festiv të pasur, për gjithë familjen, pa hequr dorë nga misioni kryesor: informimi.
Më 31 Dhjetor, ekrani i News24 do të transmetojë koncertin e madh të ndërrimit të viteve, që mund të ndiqet nga ambientet e Flumen Park. Një mbrëmje me hite ndërkombëtare të këngës, muzikë instrumentale e klasike, ku në qendër do të jenë edhe talentet e rinj më të mirë të vitit, të shoqëruar nga familjarët e tyre si të ftuar specialë. Programi do të shoqërohet me kamera të fshehta të realizuara me gazetarët e News24, humor nga estradat e dikurshme shqiptare dhe perla të humorit ndërkombëtar me emra ikonë si Benny Hill dhe Mr. Bean. Spektakli do të vijojë edhe pas mesnatës me eventin special “Hollywood in Vienna”.
Festimet vazhdojnë më 1 Janar me një tjetër spektakël të veçantë, me muzikë, këngë dhe humor shqiptar e të huaj, realizuar kryesisht në ambientet magjike të Prestige Resort në Golem dhe Tiranë. Eventi i madh i 1 Janarit do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të 2 Janarit, duke u mbyllur me një multi-event skenik ku protagoniste do të jenë dy ikona botërore të spektaklit, Andre Rieu dhe Yanni.
Programi festiv nuk ndalet me kaq. Gjatë gjithë muajit Janar, producenti i programit të Vitit të Ri dhe të 1 Janarit, Gjergj Leka, do të sjellë në ekran për katër fundjava rresht tetë evente koncertale ekskluzive, që variojnë nga Charles Aznavour tek Ennio Morricone, nga Tom Jones tek Helene Fischer e shumë emra të tjerë të mëdhenj të muzikës botërore.
Për herë të parë në ekranet shqiptare, kaq shumë evente të mëdha dhe të magjishme vijnë së bashku, të dedikuara 100% për familjen shqiptare.
News24 dhe i gjithë stafi i drejtuesve dhe gazetarëve ju urojnë një Vit të Ri plot gëzime, shëndet dhe lumturi në familjet tuaja.
