Lajm i mirë për oficerët dhe nënoficerët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Pagat e tyre do të rriten në masën 30%. Burime të besueshme zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes thanë për News24 se projektbuxheti në fjalë do të diskutohet në seancën e radhës në komisionin e sigurisë të hënën e ardhshme.

Përveç rritjes së pagave që prekin gjithë efektivët me uniformë të Forcave të Armatosura, në projektligj është edhe një program sa i takon kredive të buta. Kështu oficerët dhe nënoficerët e ushtrisë shqiptare në rast se kanë status ‘të pastrehë’ mund të aplikojnë për të përfituar nga kredia e butë për strehim që ofrohet për ta. News24 mëson detajet e programit për të gjithë ata të cilët duan të përfitojnë kredi të butë me interesa të ulëta.

Kështu ushtarakët do të përfitojnë deri në 50 milionë lekë të vjetra, me interes 3% dhe afat kthimi deri ne 25 vjet; ndërsa për ushtaraket te cilët kërkojnë kredi për shtesë të sipërfaqes së banimit deri në 25 milionë lekë të vjetra, me interes 3%, afati i kthimit është deri në 15 vjet. Lista emërore e ushtarakëve përfitues do të miratohet nga Ministri i Mbrojtjes.

Nga ky program mund të përfitojnë ushtarakët aktivë, ata në rezervë apo ushtarakët në lirim ose në pension. Duket se rritja e pagave të ushtarakëve me 30% është rritja më e madhe e pagave në historinë e ushtrisë shqiptare. Rritja e fundit e pagave nga grada më e ulët ushtarë deri tek grada gjeneral u realizua në vitin 2017 në masën 8% deri ne 10%.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb