Ish-drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka reaguar ashpër ndaj vijimit të bllokadës së godinës së News24, duke e cilësuar këtë situatë një abuzim të rëndë të pushtetit dhe një “shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë”.

Prençi theksoi se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe policia ushtarake janë keqpërdorur për të ruajtur një objekt që nuk i përket fushës së tyre ligjore.

“Ai objekt do të ruhet nga shoqëritë private të sigurisë. ‘KAYO’ nuk është instrument i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, nuk është repart ushtarak, nuk është pjesë e planit të presidentit për ushtrinë. Shpërdorimi i forcave policore në mënyrë arbitrare nuk është në shërbim të shtetit, por në shërbim të arrogancës së pushtetit”, u shpreh ai.

Duke e quajtur këtë një akt të pashembullt, Prençi tha se kompania News24 po vuan arrogancën dhe arbitraritetin e pushteteve:

“Në bisedat që kam pasur me të majtë e të djathtë, njerëzit mallkojnë veten pse jetojnë në Shqipëri, sepse është e padurueshme një arrogancë e tillë e shtetit.”

Sipas tij, ruajtja e godinave të një kompanie shtetërore me ushtri apo polici ushtarake është antikushtetuese dhe e papranueshme, pasi nuk bën pjesë në asnjë plan të shpërndarjes së forcave të sigurisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb