Dita e madhe ka mbërritur. NFL sot shpall skuadrën kampione të sezonit, ndërsa vëmendja e gjithë botës së futbollit amerikan është e përqendruar në Kaliforni, ku New England Patriots dhe Seattle Seahawks do të përballen në Super Bowl LX.
Finalja do të zhvillohet në stadiumin modern “Levi’s Stadium” në Santa Clara, shtëpia e San Francisco 49ers. Ky impiant pret për herë të dytë një Super Bowl, pas Super Bowl 50 të zhvilluar 10 vite më parë, ku Denver Broncos triumfuan 24–10 ndaj Carolina Panthers. Në total, ky është Super Bowl-i i 14-të i organizuar në shtetin e Kalifornisë, duke e renditur atë të dytin në histori për nga numri i finaleve të pritura, pas Floridës që kryeson me 17.
Patriots – përvoja dhe historia
New England Patriots shënojnë paraqitjen e tyre të 12-të në Super Bowl, më shumë se çdo skuadër tjetër në historinë e NFL-së. Ekipi i drejtuar nga tradita dhe suksesi synon fitoren e shtatë, e cila do t’i lejonte të kalonin Pittsburgh Steelers si skuadra më e suksesshme në këtë kompeticion.
Dhjetë nga këto 12 finale janë arritur që nga viti 2000, një dominim i paprecedentë në epokën moderne të NFL-së. Për më tepër, Patriots hyjnë në histori si skuadra e parë që arrin në Super Bowl pasi kishte humbur 13 ose më shumë ndeshje në sezonin pararendës.
Seahawks – rikthimi në skenën e madhe
Nga ana tjetër, Seattle Seahawks luajnë Super Bowl-in e tyre të katërt, me të tre finalet e mëparshme të zhvilluara pas vitit 2006. Megjithatë, bilanci i tyre mbetet negativ, pasi kanë arritur të fitojnë vetëm një herë titullin kampion.
Kjo përballje sjell një déjà-vu për tifozët, pasi Patriots dhe Seahawks u ndeshën edhe në Super Bowl XLIX. Atëherë, New England triumfoi 28–24, pavarësisht se ishte në disavantazh prej 10 pikësh gjatë ndeshjes.
Në fakt, kjo është finalja e 10-të në historinë e Super Bowl-it ku dy skuadra përballen sërish pas një finaleje të mëparshme. Statistikat janë në favor të fituesve të takimit të parë, të cilët kanë arritur të triumfojnë edhe në ndeshjen e dytë në gjashtë raste.
Spektakli është gati, historia pret të shkruhet sërish, dhe sot NFL do të kurorëzojë mbretin e ri të sezonit.
