Janë zyrtarizuar tarifat e reja për përdorimin e Tunelit të Llogorasë, duke përmbyllur procesin për vendosjen e pagesës për këtë aks rrugor.

Vendimi është bërë efektiv përmes një Udhëzimi të Përbashkët, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare, duke hyrë automatikisht në fuqi.

Pagesat janë të diferencuara sipas madhësisë dhe tipit të automjetit dhe ndahen në pesë kategori:

  • 100 Lekë – Motoçikleta dhe mjete me dy rrota.
  • 250 Lekë – Automjete të vogla dhe mjete shpërndarjeje me dy boshte (lartësi deri në 1.30 m).
  • 500 Lekë – Makinat me rimorkio ose karavanë (më shumë se dy boshte, lartësi deri në 1.30 m).
  • 1,000 Lekë – Furgonë, minibusë dhe automjete të mesme (lartësi mbi 1.30 m).
  • 5,000 Lekë – Automjete të rënda, si autobusë e kamionë me shumë boshte dhe rimorkio (lartësi mbi 1.30 m).

Të gjitha tarifat përfshijnë TVSH-në.

Për përdoruesit e rregullt do të ketë mundësi abonimi me parapagim, ndërsa çmimet për këtë kategori do të përcaktohen brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e udhëzimit.

Sipas udhëzimit, disa kategori automjetesh dhe përdoruesish përjashtohen plotësisht nga tarifat, për shkak të funksioneve të tyre:

  • Policia Rrugore, autoambulancat dhe forcat zjarrfikëse.
  • Mjetet ushtarake dhe ato të NATO-s.
  • Automjetet e punonjësve të ARRSH-së dhe të Entit Kombëtar të Operimit Rrugor, gjatë kryerjes së detyrës.
  • Personat me status invalidi, kur automjetet i përdorin për qëllime personale.

Për arsye sigurie, ndalohet qarkullimi në tunel i mjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb